Kosova sërish objekt i akuzave të ndërsjella SHBA-Rusi
Albeu.com
Kosova dhe qasja e fuqive të mëdha në Këshillin e Sigurimit ndaj zgjidhjes politike të statusit të saj ka qenë edhe dje objekt diskutimesh, më shumë në prani të medias se në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, i cili kishte në rend dite çështjen e Gjeorgjisë dhe misionin vëzhgues të Kombeve të Bashkuara atje.Mirëpo, pas daljes nga takimi, ambasadorët e SHBA-ve dhe të Rusisë këmbyen akuza të ndërsjella.

Derisa ambasadori amerikan Alejandro Wolff tha se nuk mund të krahasohej çështja e Kosovës me atë të Abkhazisë, ambasadori rus, Vitalij Churkin kërkoi pikërisht këtë lloj paralelizmi, duke akuzuar SHBA-të për një standard të dyfishtë. “Ambasadori Churkin edhe sot, siç ka bërë edhe më parë, ka ngritur analogji false me Kosovën dhe me një çapkënllëk bëri përpjekje për ta komplikuar vetë diskutimin. Edhe sot ai bëri këtë lloj intervenimi dhe pastaj doli të flasë me gazetarët dhe të mos dëgjojë mendimin e askujt tjetër”, tha Wolff. Ndërkaq Churkin tha se duhet të dëgjohen të dyja palët, dhe jo vetëm e përfaqësuesit të Gjeorgjisë, për të pasur një kuptim objektiv të situatës në Abkhazi. “Edhe në rastin e Kosovës, po të dëgjonte bashkësia ndërkombëtare vetëm palën serbe, jam i sigurt se nuk do të kishte fare plan të Ahtisaarit”, tha Churkin. Objekt i këtyre akuzave të ndërsjella ishte viza hyrëse për në SHBA e liderit të Abkhazisë, Sergej Shamba, me qëllim që t’i drejtohej Këshillit të Sigurimit, një kërkesë që e ka mbështetur Rusia. Ambasadori amerikan tha se Churkin nuk e ka ngritur këtë çështje në Këshillin e Sigurimit. Ndërkohë ambasadori i Britanisë së Madhe në Kombet e Bashkuara Emyr Jones Parry tha se tashmë ekzistonte një konsensus për një mision faktmbledhës në Beograd dhe në Prishtinë. “Do të konsultohem me kolegët e mijë, mirëpo hë për hë nuk është shumë e qartë se kur dhe çfarë do t’i propozoj Këshillit. Mirëpo duhet ta propozoj liderin dhe datat e pastaj ai mund të bëj propozim për afatet dhe referencat për atë mision”, tha ambsadori britanik, vendi i të cilit ka presidencën për këtë muaj në Këshillin e Sigurimit.
Shtuar më 11/04/2007, ora 15:21
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori