Koshtunica, më i rrezikshëm se Nikoliç
Albeu.com
New York TimesLideri i Partisë Radikale të Serbisë, Tomislav Nikoliç, ka thënë se ai nuk është rinkarnim i Slobodan Millosheviçit.Jo pse ai mendon se Millosheviçi ishte i keq, sepse, siç pohon Nikoliç, Millosheviçi nuk ishte kriminel, por bëri shumë gabime. Problemi me Millosheviçin qëndronte në faktin se, ai kurrë nuk e përfundonte atë që fillonte.

"Të gjitha luftërat që i filloi, ai i dorëzoi",- thotë Tomislav Nikoliç, për të shtuar se ai nuk mund të cilësohet si një Millosheviç tjetër. Këto pohime të Nikoliçit nuk kanë flakur shqetësimet që në rast të fitores së Partisë Radikale, Serbia mund të rrëshqasë drejt një konfrontimi të ri me Perëndimin.

"Në vitet e '90-ta, Perëndimi kishte drejtuar gishtin nga Millosheviçi si diktator dhe atë e kishte fajësuar për izolim të Serbisë",- thotë analisti liberal serb, Dejan Anastasijeviç, i cili shton se, "nëse Nikoliçi fiton, ai do të jetë i zgjedhur në rrugë demokratike dhe Perëndimi do të mendojë se serbët kanë shpirt të keq dhe meritojnë vetëshkatërrimin".

Nikoliç akuzon rëndë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për njohjen e pavarësisë së Kosovës, por përjashton mundësinë e një lufte të re për Kosovën.

Nikoliç thotë se perëndimorët nuk kanë se përse të frikësohen nga epilogu i zgjedhjeve, ndonëse për shkak të kushteve të padrejta që u janë imponuar, ato po e çojnë Serbinë drejt Lindjes, përkatësisht Rusisë, Kinës dhe Indisë.

Nikoliç ka fituar popullaritet, duke luajtur me kartën e zemërimit të votuesve serbë me pavarësinë e Kosovës. Nikoliç thotë se nëse do të fitojë, atëherë do të tentojë që me mjete diplomatike të kontestojë, siç e quan ai, "pavarësinë ilegale" të Kosovës. Nikoliç thotë se në parim ai mbështet integrimin e Serbisë në Evropë, por Perëndimi, duke mbështetur pavarësinë e Kosovës, po shtyn Serbinë drejt braktisjes së këtyre aspiratave.

Kohët e fundit, Nikoliç ka intensifikuar marrëdhëniet me Rusinë dhe nuk e fsheh se Serbia do të dëshironte të mbante një këmbë në Lindje dhe një në Perëndim.

"Evropa do të bëjë gabim nëse na përjashton, sepse do të na çonte te pala tjetër, ndërsa ne duam që në Serbi t'i kemi të dyja, edhe Rusinë, edhe Evropën",- thotë Tomislav Nikoliç.

Përderisa liberalët serbë e portretizojnë zotin Nikoliç si demagog radikal, disa diplomatë perëndimorë thonë se ai paraqet rrezik më të vogël për interesat e Perëndimit, sesa kryeministri aktual Koshtunica. "Vojisllav Koshtunica është nacionalist romantik, anti-perëndimor i shekullit të 19", thotë një diplomat perëndimor, duke shtuar se "Nikoliç është më pragmatik". (www.gazetastart.com)
Shtuar më 06/05/2008, ora 21:02
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori