Koreja nis hedhjen e raketave
Ushtria e Koresë Jugore ka thënë se Koreja Veriore i ka hedhur në det disa raketa me rreze të shkurtër veprimi pranë qytetit lindor të Wonsanit.

Nëse lëshimi i këtyre raketave vërtetohet si hedhje e armëve të ndaluara, kjo vepër do të ishte e para që nga testimi i kryer në nëntor të vitit 2017, me ç’rast ishte lëshuar një raketë balistike interkontinentale.

Zyrtarët ushtarakë të Koresë Jugore thanë se këto raketa kanë fluturuar rreth 70 deri 200 kilometra në ajër. Ata njoftuan se janë duke bërë analiza të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara për veprimin më të fundit të Koresë Veriore.

Në anën tjetër, sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, tha: “Jemi të vetëdijshëm për veprimet e Koresë Veriore. Do ta vazhdojmë monitorimin sipas nevojës”.

Testimi i këtyre raketave erdhi pas dështimit diplomatik të samitit mes presidentit Donald Trump dhe diktatorit Kim Jong-un në Vietnam për shkak të mosmarrëveshjes për armët bërthamore të Koresë Veriore.
Shtuar më 04/05/2019, ora 17:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori