Një nga shtetet më të prekura nga embargoja e naftës dhe gazit rus, Gjermania ndalon ujin e ngrohtë dhe ngrohjen në vendet publike

Qyteti gjerman i Hanoverit është bërë qyteti i parë në Europë që ndalon ujin e nxehtë dhe ngrohjen qendrore në ndërtesat publike pas ndërprerjes së furnizimit me gaz nga Rusia, sipas mediave të huaja.

Hapi drastik vjen pasi gjermanëve u është thënë se do të paguajnë fatura të larta të energjisë elektrike dhe se do të merren masa gjithëpërfshirëse të racionimit të gazit që do të ndikojnë në jetën e tyre të përditshme. Në përgjigje, Hanoveri, kryeqyteti i Saksonisë së Ulët në veriperëndim të vendit, do të ndërpresë ujin e nxehtë në ndërtesat publike, pishinat, sallat sportive dhe palestrat.

Masa të tjera për kursimin e gazit përfshijnë ndalimin e shatërvaneve publike dhe fikjen e dritave të natës në ndërtesat kryesore si bashkia dhe muzetë. Kryetari i bashkisë së qytetit, Belit Onay, foli për një ‘mungesë të madhe të gazit’ që nënkuptonte se ata duhej të reduktonin konsumin e energjisë së qytetit me 15%.

Planet parashikojnë mbylljen e ngrohjes brenda ndërtesave publike midis shtatorit dhe prillit të çdo viti dhe termostatet do të vendosen në temperaturën 20C për pjesën tjetër të vitit, megjithëse do të ketë disa përjashtime.

Do të ketë gjithashtu një ndalim të kondicionerëve portativë, ngrohësve dhe radiatorëve në mesin e popullatës së përgjithshme.