Ushtria e Koresë Jugore ka thënë se
Koreja Veriore i ka hedhur dy raketa në det, disa orë pasi vendi komunist paraqiti ofertë për t’i vazhduar bisedimet bërthamore me Shtetet e
Bashkuara. Sidoqoftë,
Koreja Veriore paralajmëroi se marrëveshjet e saj me Uashingtonin mund të përfundojnë, nëse nuk ka
propozime të reja.
Lëshimet e raketave të martën dhe kërkesa për
propozime të reja ishin qartazi veprime për ta shtuar presionin ndaj Shteteve të
Bashkuara, nga të cilat
Koreja Veriore pret lëshime gjatë bisedimeve. Besohet se Pjonjangu do të kërkojë garanci sigurie dhe lirim nga sanksionet amerikane.
Sipas komandës qendrore të ushtrisë së Koresë Jugore, raketat e Koresë
Veriore kanë fluturuar rreth 330 kilometra para se të binin në det. Nuk dihet nëse këto armë ishin raketa balistike apo ndonjë lloj tjetër i raketave.
Të hënën në mbrëmje, zëvendësministrja e jashtme e Koresë
Veriore, Choe Son Hui, tha se vendi i saj është i gatshëm t’i vazhdojë bisedimet për armët bërthamore në fund të shtatorit, me kusht që Shtetet e
Bashkuara të ulen në tavolinën e negociatave me
propozime të reja. Ajo shtoi se nëse këto
propozime nuk janë të kënaqshme, marrëveshjet e deritashme mes dy vendeve mund të përfundojnë.
Në anën tjetër, Shtëpia e Bardhë ende nuk i ka komentuar raportimet për lëshimin e raketave dhe deklaratën e zyrtares së Koresë
Veriore, shkruan “The Guardian”.
Shtuar më 10/09/2019,
ora 09:46