Korea e Veriut kërcënon SHBA-të: Ju shkatërrojmë
Korea e Veriut paralajmëroi për “shkatërrim të plotë” Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përpara një stërvitje të përvitshme ushtarake të trupave amerikane me ato koreanojugore.

"SHBA përballet me një shkatërrim të plotë, duke iu bashkuar veprimeve agresive ndaj Koresë së Veriut në këto kohëra delikate", u tha në Televizionin Shtetëror Korean, ditën e sotme.

Ndonëse deklarata të tillë rutinë janë të zakonshme për Penianin, ato vijnë vetëm dy javë pas një testi bërthamor të vendit komunist, veprim që ka ngjallur alarm dhe është dënuar njëzëri nga komuniteti ndërkombëtar.

Korea e Veriut realizoi në dhjetor 2012 edhe një testim të raketave me rreze të gjatë veprimi, nëpërmjet lëshimit të një sateliti në hapësirë, ndërsa më parë, vendi komunist ka pranuar se po zhvillon kapacitete "në gjendje të godasin tokën amerikane".

Në këtë situatë të tensionuar, pas testeve të para bërthamore në historinë e liderit Kim Jong-un, Korea e Jugut ka reaguar me mbajtjen e stërvitjeve intensive ushtarake dhe prezantimin e një teknologjie raketore të një saktësie tepër të lartë.

Shtetet e Bashkuara, zyrtarisht kanë theksuar se këto stërvitje në bashkëpunim me forcat e Seulit janë “rutinë” dhe nuk kanë “asnjë lidhje me situatën në Gadishullin Korean”. Uashingtoni lajmëroi Penianin për këto ushtrime nëpërmjet një dokumenti zyrtar.

Stërvitja ushtarake, e cila do të nisë në datën 1 mars, do të përfshijë rreth 20 mijë trupa amerikane dhe koreanojugore. /albeu.com/
Shtuar më 24/02/2013, ora 11:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori