Kongo, vendi i ushtrive te foshnjave
Pëlqej
Albeu.com
Shteti i injoruar nga Perëndimi, ku djalli është ulur "këmbëkryq" e ku jeta ka vlerën e një kokrre hurme. Aty ku fëmijëve nuk u mbetet zgjidhje tjetër veç luftës.
Sytë e fëmijëve të Kibatit: Zot, do t‘i ketë parë ndonjëherë ata sy Deivid Miliban, ministri i Jashtëm i Madhërisë së Saj, Mbretëreshës së Britanisë? Jo, nuk i ka parë, ndryshe nuk do të kishte arritur veç tani në përfundimin se në pjesën lindore të Kongos rrezikohet të ndodhë katastrofa më e madhe humanitare e kohëve moderne. Nuk i ka parë ata sy të mbushur me frikë, me një dhimbje pa lot. Kur ka kaluar nëpër qytet, nuk ka pasur rastin të hyjë në tendat e spitalit të "Médecins sans frontières", ku gjenden fëmijët e sëmurë nga kolera.

Zëdhënësi i kësaj organizate bamirëse, Fransua Dumo, bën me dije se shpesh nuk arrijnë t‘ua shpëtojnë jetët, pasi marrin arratinë nga spitali, prej frikës së luftimeve dhe askush nuk mund t‘i gjejë më në kaosin e kryeqytetit Goma.

Po fëmijët ushtarë? Ata me uniformën e gjelbër të Kabilës, Presidenti i vendit, me kallashnikovët në krah, me helmetën të ulur deri poshtë syve (nuk janë prodhuar ende helmeta për të mitur) që të mos shohin, të mos kenë frikë. Kur mbërrijnë në Goma personalitete të rëndësishme të OKB-së i fshehin, i mbyllin nëpër kazerma. Perëndimi e ka zemrën të brishtë, luftërat i do të arsyeshme e me pak të vrarë. Por këtu jemi në Afrikë, mësohet shumë shpejt për të vrarë e për t‘u vrarë. Lojërat, shkollën, të drejtën për të qenë të lumtur e gëzojnë vetëm pak fëmijë.

E thënë më qartë: katastrofa më e madhe humanitare e Afrikës tashmë ka ndodhur, madje jemi në kapitullin e fundit. Na shfaqet para syve që prej 14 vjetësh; u ka marrë jetën miliona njerëzve, mban peng të mbijetuarit, ka prodhuar një brez fëmijësh që nuk kanë pasur kurrë të drejtën të vënë buzën në gaz. OKB-ja, Perëndimi, Fuqitë e Mëdha nuk e kuptuan dot kurrë atë që po ndodhte. E kështu, sot, në pjesën lindore të Kongos, po zhvillohet e para luftë, ku refugjatët e ata që kanë marrë arratinë për t‘u shpëtuar luftimeve janë kthyer në armë më vete, e cila përdoret nga të dyja palët luftuese me indiferencë, cinizëm e mizori.

Në Kibati, 12 kilometra larg Gomës, kryeqytet i një prej rajoneve më të pasura në botë me minerale e dhimbje njerëzore, grumbullohen të mbijetuarit e kësaj lufte, e cila u ngjan konflikteve evropiane që gërshetoheshin me njëri-tjetrin deri sa formonin kasaphana unike disadekadëshe. Kanë parë me sy ferrin, janë larguar prej shtëpive, kanë marrë arratinë, duke u çjerrë nga dhimbja e frika. Nuk i vranë dot vjedhjet e mashtruesit të madh, Mobutut, që kërkonte taksa deri te biçikletat e çarçafët e spitaleve. Nuk vdiqën as kur në këtë vend mbërriti një turmë tjetër të dëshpëruarish, hututë e Ruandës, të ndjekur hap pas hapi nga hakmarrja e tutsëve. Nuk vdiqën nën torturat e llahtarshme të ushtarëve të Kabilës, në fillim ati e më pas biri, që tani qeveris atë pjesë të Kongos që nuk i hyn në punë askujt, ku nuk ka diamante e metale të çmuara. U shpëtuan therjeve të milicisë së gjeneralit Nkunda, zoti i ri i Kivut.

Gratë janë përdhunuar nga milicitë e shumta që kanë kaluar këtu, qeveritare apo rebele; por edhe ato ia dolën të mbeteshin gjallë. Fëmijët luajnë edhe sot këtu në llucën e këtij fushimi gjigant për 45 mijë veta. Por nuk mbajnë veshur uniformat e ushtarëve-skllevër, një tjetër mrekulli; ndoshta ngaqë u rezultojnë shumë të vegjël si ushtarëve qeveritarë, ashtu edhe rebelëve, të cilët mësyjnë herë pas here shkollat.

Janë refugjatët heronjtë e vërtetë të kohëve tona në Afrikë. I takon përreth Gomës këta pelegrinë të mjerë që udhëtojnë prej vitesh pa një pikëmbërritje të qartë, pa pushim, shpesh pa bukë e ujë, të përunjur, me sytë e fikur, me energji të shterura nga ai udhëtim pa fund. Për t‘u ardhur në ndihmë OKB-ja nuk ka qëlluar as edhe një plumb të vetëm. Zotërinjtë e kësaj lufte - nga njëra anë qeveria që do të shtijë në dorë minierat, nga tjetra një gjeneral që e justifikon terrorin si përpjekje për të mbrojtur etninë e vet, tutsit e Ruandës - janë një fatkeqësi e vërtetë njerëzore. Lufta etnike dhe ajo ekonomike gërshetohen me njëra-tjetrën. Fitimtarët e të humburit avancojnë e tërhiqen duke zvarritur pas vetes një masë gjigante njerëzore, të përbërë nga 1 milion njerëz, e cila përdoret herë si peng, herë si barrikadë, herë si formë presioni.

Goma është sinteza e përsosur e Afrikës së sotme: në qytet gjendet gjithçka, internet, dyqanet janë plot, restorante luksoze buzë liqenit; të pasurit krekosen të dielën me të dashurat përkrah në "bulevardin" e qytetit, ku tufat e dhive sillen nëpër grumbujt e plehrave që gjenden kudo. Nëpër kisha çiftet martohen njëri pas tjetrit. Të pasurit vijnë rrotull me fuoristrada japoneze, të stolisura deri në grykë me flori. Fëmijët mbajnë veshur bluza origjinale të Kakasë apo Henrisë. Është borgjezia e Kabilës (më parë ishte e Mobutut). U hipën avionëve kur u duk se rebelët po shtinin në dorë qytetin. Më pas u kthyen. Në sheshin kryesor të kryeqytetit, përpara bankave, ushtarët e OKB-së, brenda mjeteve të blinduara të lyera me të bardhë, tymosin për të vrarë mërzinë.

Ndërkohë që gjithçka rreth qytetit është Afrika e të tjerëve, atyre që nuk kanë asgjë prej gjëje. Por edhe mjerimi këtu nuk është i njëjtë, varet nga shtresat. Janë refugjatët e vjetër, ata që gjenden këtu që nga viti 1995, të cilët tashmë kanë ndërtuar shtëpiza druri, dinë si të veprojnë, zotërojnë ndonjë dhi e ndonjë pulë. Pastaj janë ata që morën arratinë prej luftimeve që nisën para dy javëve dhe kanë arritur të shtrijnë në dorë thasë plastikë me stampën e OKB-së që i përdorin si tenda, dinë kur shpërndahet ushqimi dhe drutë për zjarr, dinë të kuptojnë shpejt që po nis një sulm i ri duke zgjedhur kështu edhe çastin e duhur për t‘u zhdukur nga sytë këmbët. Pastaj janë të sapombërriturit, të cilët në mëngjes ecin përgjatë rrugës që zbret nga Ngungu, ku trupat qeveritare e ato rebele derdhin pa pushim zjarr e flakë: janë thuajse të zhveshur, kanë arritur të marrin nga shtëpitë veç ndonjë tenxhere a tigan. Ata rrëfejnë për sulme të pësuara natën, për fqinjët të therur nëpër shtëpitë e tyre nga rebelët, për ditë e ditë të tëra të kaluara në pyll pa ushqim, nën shi. Për ta, kjo luftë që po u merr jetën mbetet mister metafizik, është një fatalitet, njësoj si shiu i munguar, apo vullkani Nijragongo që në vitin 2002 "volli" një lumë vrasës llave.

Përreth kishës, një kapanon i madh ku gjendet një poster gjigand i Jezusit fëmijë, një turmë e stërmadhe njerëzish vërtitet e disiplinuar dhe me durim, në pritje të shpërndarjes së thasëve të miellit nga Kryqi i Kuq. Sot gjendja është e qetë, ndihmat mund të shpërndahen, por në kampe të tjerë të gjendur në vijën jo fort të qartë të frontit, është e pamundur të shpërndahen. Prania e urisë ndihet kudo. Brenda në kishë një prift i ri zhvillon meshën. Duhet kurajë të thuash fjalë shpresë, ndërkohë që përreth mbretëron dëshpërimi i plotë. Por ai provon gjithsesi me të tijën. Me t‘u thënë besimtarëve "shkoni në paqe", brenda kishës shtyhen me padurim të gjithë ata refugjatë të tjerë, për të cilët kisha është i vetmi strehim gjatë orëve të natës. Po, vërtetë, shkoni në Paqe, njerëz të Kibatit. (G. Shqip)
Shtuar më 14/11/2008, ora 03:33
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori