KOMENT / Masakra në Kenia, terrorizmi që po vret botën
nga Dionis Xhafa

Sulmi në kompleksin universitar “Garissa” ka marrë jetën e 148 studentëve dhe është një nga sulmet më të përgjakshme në këtë vend. Grupi terrorist “Al-Shabaab” ka marrë përgjegjësinë e sulmit


Pas Francës, një tjetër vend i botës u godit nga terrorizmi dhe kjo është Kenia. Jetët e së paku 148 studentëve morën fund nga një sulm i përgjakshëm në konviktin e tyre. Organizata terroriste “Al Shabaab” mori përsipër përgjegjësinë e sulmit. Vrasja e studentëve tronditi opinionin publik botëror dhe shokoi atë vendas.

Presidenti i Kenias Uhuru Kenyatta në një deklaratë publike do ti drejtohej kombit të vet se shteti ishte tronditur nga themelet, por se kurrë ai nuk do të gjunjëzohet përballë barbarisë së terroristëve. Ai tha se qeveria e Kenias do të bëjë ç’është e mundur që personat që kryen aktin e tmerrshëm të mund të dënohen, megjithëse akoma nuk ka të arrestuar për masakrën.

Ai iu drejtua politikanëve dhe liderëve fetarë, vendas dhe të huaj, duke thënë se sot është një ditë e zezë për Kenian dhe se të gjithë duhet të jemi në një zë të përbashkët, në atë që dënon sulmet e përgjakshme terroriste. Presidenti kenian bëri apel publikisht që autoritetet të mund të vendosin drejtësi mbi një masakër mbi njerëz të rinj në moshë, jeta e të cilëve u këput në lulen e rinisë. Terrorizmi i vrau ata. Gjithashtu, liderë fetarë të krishterë dhe myslimanë thanë se sulmi është përgjegjësi e njerëzve që mendojnë akte barbare, të cilat bien ndesh me parimet e fesë dhe civilizimit dhe qytetarërimit global.


Terrorizmi po minon paqen në botë

Aktet terroriste, ata të cilat nuk njohin as parime fetare dhe as njerëzore, por dhunën dhe vrasjet e tmerrshme kanë zaptuar paqen në botë. Sot në botë ka një sërë vatrash të cilat janë të rrezikuara nga terrorizmi. Dhuna, vrasjet dhe masakrat e ISIS mbi civilë në Siri, Irak, Libi, vrasjet që përgatiten nga Al-Kaeda apo Al-Shabaab, por edhe ata mbi civilët e pafajshëm në Ukrainë apo në çdo cep të botës janë dëshmi e faktit se jetojmë në një botë ku nuk jemi të sigurt për jetën tonë. Akoma në botë vriten njerëz të pafajshëm.

Të dhënat janë alarmante dhe çdokush nga ne sot, duhet të jetë në anën e viktimave dhe atyre që vuajnë dhunën, represionin apo shtypjen nga dora gjakatare e njerëzve të dhunshëm. Videoja e një vajze të vogël në Siri me emrin Hudea, e cila trembej nga një aparat fotografik, duke kujtuar se është një armë, është “vrasje” e të ardhmes së fëmijëve, të cilët rriten në një vend dhe shoqëri me dhunë, masakra dhe luftë. Fëmijët e mbarë botës sot duan paqe dhe ndaj është përgjegjësi e politikanëve dhe e të gjithë mekanizmave të tjerë globalë, që e duan paqen në botë, që fëmijëve tiu sjellin gëzim, harmoni dhe paqe.


Shqiptarët dhe raporti me terrorizmin dhe padrejtësinë

Shqiptarët janë një popull që kanë njohur mbi shpatulla padrejtësi historike. Ne kemi provuar masakra të kryera nga makineria e ushtarake e Slobodan Millosheviçit në Kosovë dhe të tjera ndër vite e shekuj.

Kujtimet e luftës së fundit në Kosovë janë akoma të freskëta dhe jetojnë në kujtesën tonë. Kënga e Leonora Jakupit “A vritet pafajsia”, ku theksi vihej mbi masakrat edhe mbi fëmijë që kryente Serbia dëshmojnë se sot duhet të jemi në anën e paqes, siç ishim në kohën e luftës.

Sikundër shqiptarët, ashtu edhe njerëzit e mbarë botës janë qënie njerëzore, të cilët meritojnë të jetojnë. Mbështetja e kujtdo personi, liria e të cilit kufizohet, jeta e të cilit masakrohet në një mënyrë apo tjetër, është mbështetje e paqes dhe e civilizimit të botës. Edhe ne si shqiptarë jetojmë në këtë botë dhe padrejtësia ndaj civilëve është vrasje e paqes dhe harmonisë në jetë. /albeu.com/

Shtuar më 06/04/2015, ora 17:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori