Italia ka tani si politikë kombëtare një teori konspiracioni

Nga Anchal Vohra “Foreign Policy

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Sipas një sondazhi të kryer në vitin 2021, gati 65 për qind e italianëve besojnë se një grup korporatash shumëkombëshe kontrollojnë botën, dhe se ato janë “përgjegjëse për gjithçka që na ndodh”. Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, mund të mos jetë në mesin e të anketuarve, por ajo është treguar po aq e ndjeshme ndaj teorive konspirative.

Meloni është udhëheqësja e parë e Evropës Perëndimore që përkrah teorinë e madhe të zëvendësimit, e cila pretendon se në vend të një lëvizjeje organike të drejtuar nga varfëria dhe lufta, emigrimi është projektuar enkas kundër Perëndimit.

Sipas kësaj teorie, elita politike dhe ajo e biznesit takohen diku në fshehtësi për të rritur qëllimisht fluksin e emigrantëve, jo vetëm për të përfituar nga krahu i lirë i punës, por për të zëvendësuar racën e bardhë me njerëz ngjyrë kafe dhe të zezë.

Ky grup idesh u artikulua për herë të parë në vitin 2011 nga shkrimtar francez Renaud Camus, por është adoptuar nga supremacistët e bardhë në disa vende evropiane dhe në Shtetet e Bashkuara. Matthew Feldman, shkrimtar dhe eksperti mbi ekstremizmin e krahut të djathtë, thotë se teoria e madhe e zëvendësimit është shumë fleksibël.

Ajo përdoret nga konservatorët në një formë të zbehtë, dhe është mjaftueshëm e rrezikshme për të motivuar autorët e sulmeve terroristë, gjë që “e kemi parë në shumë raste gjatë 5 viteve të fundit”, tha ai për Foreign Policy gjatë një bisede telefonike nga Londra.

Në mesin e mbështetësve të teorisë, janë ekstremistët që qëndrojnë pas disa prej sulmeve më raciste në të kaluarën e afërt. Autori i sulmit në Christchurch kundër myslimanëve në Zelandën e Re në vitin 2019, kur u vranë 51 persona, e kishte titulluar manifestin e tij “Zëvendësimi i madh”.

Vitin e kaluar, autori që vrau 10 zezakë në një supermarket në Buffalo, Nju Jork, kishte postuar në internet një manifest raciste prej 180 faqesh që përkrahte këtë teze. Ish-moderatori i Fox News, Tucker Carlson, e ka risjellë atë qindra herë në qendër të vëmendjes duke aluduar se anëtarët e Partisë Demokratike të SHBA-së e mbështetin emigracionit për të zëvendësuar elektoratin me votues nga vendet në zhvillim, pasi ata priren të votojnë për ta.

Lidhja me ekstremistët e ka detyruar Melonin të ndryshojë gjuhën dhe t’i referohet teorisë si “një plan për zëvendësimin etnik” e qytetarëve evropianë  “i dëshiruar nga kapitali i madh”. Feldman thotë se “zëvendësimi etnik”, ishte thjesht “një sinonim i zëvendësimit të madh”.

Ai shton se Meloni nuk mund ta përdorë formulimin e saktë, sepse kundërshtarët e saj politikë do të thoshin menjëherë:”Pa prisni një minutë, a mos po përdorni të njëjtën frazë si terroristët?”.

Në të paktën 15-20 raste, kryeministrja italiane i është referuar publikisht idesë së një “plani për zëvendësimin etnik”-thotë David Broder, i cili jep mësim histori në Universitetin e Sirakuzës në Firence dhe që së fundmi ka shkruar një libër me titull “Nipërit e Mussolinit:Fashizmi në Italinë bashkëkohore”.

Teoria supozon “se një etni e supozuar homogjene italiane, rrezikon të eklipsohet nga të ardhurit myslimanë dhe afrikanë” thekson historiani. Broder shton se Meloni ka folur në favor të migrimit të të krishterëve të bardhë me prejardhje italiane nga Venezuela.

Përveç intolerancës fetare, prirja e kryeministres italiane për komplote të paargumentuara, u shfaq qartazi kur ajo sulmoi filantropin miliarder George Soros, një “gogol” prej kohësh i të djathtës ekstreme, si “financues” të emigracionit masiv.

Po ashtu, ajo ka akuzuar të majtën italiane se po inkurajon “një pushtim” nga emigrantësh, dhe ajo u jep atyre shtetësinë përmes ‘ius soli’, një parim që i jep shtetësinë kujtdo që ka lindur në një vend, por që në Itali zbatohet vetëm në rrethana të veçanta për fëmijët e emigrantëve.

Por që nga fushata elektorale e vitit të kaluar, kur edhe u bë kryeministre, Melonit i është dashur t’i peshojë më me kujdes fjalët e saj, qoftë edhe për t’u dukur më pak e diskutueshme për Brukselin. Italia ka nevojë për miliarda euro nga fondet e rimëkëmbjes nga kriza ekonomike që provokoi pandemia e  Covid-19, të cilat mund të bllokohen nëse ajo do të sillet në kundërshtim me vlerat më progresive të bllokut.

José Pedro Zúquete, profesor i shkencave sociale në Universitetin e Lisbonës në Portugali thotë:“Edhe nëse ajo ka pushuar së foluri për ‘zëvendësimin etnik’, frika nga emigracioni është një forcë lëvizëse kryesore e politikave”. Analistët thonë se rënia e nivelit të lindjeve në Itali është bërë “gjethja e fikut”, me të cilën Meloni e maskon ideologjinë e saj anti-emigrante dhe raciste.

Italia ka një nga nivelet më të ulëta të lindjeve në Evropë, dhe shënoi rënien më të madhe vitin e kaluar. Për herë të parë, ajo ra nën 400.000 lindje vjetore, më saktë 393.000, duke regjistruar një normë lindshmërie prej 1.24 fëmijë për grua, shumë nën nivelin 2.1 të zëvendësimit në të cilin një popullatë zëvendëson veten nga njëri brez në tjetrin.

Në fund të muajit të kaluar, kur Ministri italian i Bujqësisë Francesco Lollobrigida tha se italianët rrezikonin “zëvendësimin etnik” nga emigrantët, për shkak të rënies së nivelit të lindjeve, opozita italiane reagoi duke thanë se komentet e tij vinin nga supremacia e bardhë dhe kujtuan qëndrimit e regjimit fashist të Benito Mussolinit.

Qeveria italiane, ka vendosur të përmirësojë mirëqenien sociale për nënat italiane, për t’i inkurajuar ato që të kenë më shumë fëmijë. Nga njëra anë, Meloni mbështet një axhendë pro-nataliste dhe dëshiron të ulë tatimin mbi vlerën e shtuar për produktet e bebeve, si pelenat dhe shishet e qumështit, për ta bërë të përballueshëm nga të gjithë kujdesin ndaj fëmijëve.

Nga ana tjetër, ajo kundërshton shtetësinë për foshnjat e lindura nga familje emigrantësh.

Nga njëra anë, mbështet nënat italiane të hyjnë në fuqinë punëtore; ndërsa nga ana tjetër,  këmbëngul që gratë italiane të zënë punë para se ato t’i zënë emigrantët.

Italia ka nevojë urgjente  për afro 200.000 punëtorë ferme, si dhe për staf në hotele dhe bare. Pedro Zúquete tha se Meloni po synon të miratojë një ligj të ri mbi emigracionin, që do të jetë “shumë më i ashpër” për emigrantët e parregullt. Ajo ka kërcënuar me vendosjen e një bllokadë detare për të ndaluar emigrantët të kalojnë Detin Mesdhe, nën justifikimin e mbrojtjes së tyre nga mbytja.

Në këtë kuadër ka nënshkruar një pakt me Libinë, pavarësisht nga trajtimi brutal ndaj emigrantëve në vendin e shkatërruar nga lufta.  Komisionerja e Lartë e Këshillit të Evropës, Dunja Mijatović,  e ka kritikuar memorandumin e mirëkuptimit të Italisë me Libinë, që “luan një rol qendror në lehtësimin e përgjimit të refugjatëve, azilkërkuesve dhe emigrantëve në det dhe kthimin e tyre të mëvonshëm në Libi”.

Në takimin e Këshillit Evropian për emigracionin në shkurt, Meloni tha se “rishpërndarja e emigrantëve nuk ka qenë kurrë prioriteti im”, dhe se Mekanizmi Vullnetar i Solidaritetit të BE-së nuk ka funksionuar.  Mekanizmi u krijua për të reduktuar presionin nga ardhjet e refugjatëve në shtetet bregdetare si Italia, Greqia dhe Malta dhe zhvendosjen e tyre në vende të tjera evropiane mbi baza vullnetare.

Që nga janari 2023, vetëm 207 persona kanë përfituar nga skema, kryesisht për shkak të hezitimit të shteteve të tjera të BE-së për të pranuar emigrantë. Frontex, agjencia e kufirit dhe rojes bregdetare të BE, thotë se që nga viti 2016, BE-ja përjetoi vitin e kaluar rritjen më të madhe të emigracionit të parregullt.

U zbuluan rreth 330.000 kalime, një rritje prej 64 për qind në krahasim me vitin e kaluar.

Në mungesë të një ndarjeje të drejtë të emigrantëve në të gjithë Evropën dhe e udhëhequr më tej nga teoria konspirative e zëvendësimit të madh, Meloni e lavdëroi për politikën e konservatorëve britanikë për të dëbuar azilkërkuesit që kalonin Kanalin Anglez me varka

të vogla në vendin e tyre të origjinës, në Ruanda, apo në një vend të tretë “i sigurt”.

Kur vizitoi Mbretërinë e Bashkuar rreth një javë më parë, Meloni tha se qeveria britanike po i trajtonte shumë mirë “trafikantët dhe migracionin e paligjshëm”. Ndryshe nga Britania e Madhe, Italia është pjesë e BE-së. Nëse fuqia në kontinent nuk po zhvendoset më shumë në të djathtën ekstreme, Meloni do të duhet të operojë brenda kufijve të saj.

Partia Fratelli D’Italia e Melonit i ka rrënjët tek partia Movimento Sociale Italiano (Lëvizja Sociale Italiane), e krijuar nga mbështetësit e Musolinit. Ajo flet mbi rëndësinë e të qenit grua, nënë dhe e krishterë, e përkushtuar për të mbrojtur Zotin, vendin dhe familjen.

Por mbështetja e saj për teoritë raciste tregon se ajo nënkupton vetëm familjen e saj dhe ata që i ngjajnë, duke përjashtuar ata që praktikojnë një besim tjetër fetar apo që kanë më të errët ngjyrën e lëkurës

Marrë me shkurtime

/albeu.com


Shtuar 11.05.2023 12:24