Shkoi të luftojë në Ukrainë, ish-portieri italia ka humbur gjurmët prej dy ditësh

Italia është në ankth për Ivan Vavasorin. Ish portieri 29-vjeçar italian, ka shkuar prej disa javësh për të luftuar në Ukrainë kundër pushtuesve rusë dhe në dy ditët e fundit janë humbur gjurmët e tij, teksa dyshohet për më të keqen.

Ivan, i cili ka luajtur në karrierën e tij në kategoritë e ulëta italiane, duke arritur maksimumi në Serinë C me skuadra si Bra, Pro Patria e Lenjano, kishte shkuar që të luftonte për një kauzë që e cilësonte të drejtë.

“Futbollisti luftëtar”, siç ia kishin vënë nofkën, kishte treguar se e rëndësishme ishte që të bëhej gjëja e duhur.

“Të vdesësh 20 vite më parë apo 20 vite më vonë, ka pak rëndësi. Ajo që ka rëndësi është të vdesësh mirë. Vetëm atëherë fillon jeta”, shkruante ai në ditët e para kur mori vendimin për t’iu bashkuar trupave “legjionare” të Ukrainës.

Për të shmangur problemet me lokalizimin e tij, ai i kishte dhënë administrimin e rrjeteve sociale disa miqve të tij, e këta të fundit, nëpërmjet këtyre adresave kanë bërë të ditur se Ivan mund të ketë humbur jetën në luftimet e fundit.

“Me keqardhje ju komunikojmë se sonte, gjatë tërheqjes së disa personave të plagosur në sulmin në Mariupol, dy mjete janë shkatërruar nga ushtarakët rusë. Në një prej këtyre mendojmë se ishte Ivan me regjimentin e katërt. Po mundohemi të bëjmë më të mirën për të kuptuar nëse ka pasur të mbijetuar dhe emrat e tyre”, shkruhej në profilet e italianit.

Postimi i tij i fundit para këtij mesazhi ishte me datën 9 prill dhe aty tregonte tmerret e luftës që po përjetonte në Ukrainë.

“Dëshironit të dinit, tani shiheni. A ju pëlqen ajo që shihni? Pasi mua më ka bërë të vjell dhe të qaj për ditë të tëra. Nuk jemi supernjerëz apo superheronj, jemi ushtarë të mallkuar. Të cilët duhet të vrasin ose të vriten”, shkruante ai duke publikuar foto të civilëve ukrainas të masakruar./albeu.com


Shtuar 25.04.2022 20:17