Kina, vendi i përhapjes së virusit. Çfarë po ndodh atje?
Ina Bino

Në dhjetor të vitit 2019 në Kinë u përhap virusi COVID-19. Wuhani ishte qendra e këtij virusi të ri, i cili u shndërrua në pandemi dhe shkaktoi shumë infektime, vdekje, kriza ekonomike dhe ndryshim të mënyrës së jetesës. Shumë vende pasi luftuan me këtë virus mundën që ta stabilizonin disi situatën, por ky nuk qe një tregues se këto vende mund të mos prekeshin nga një valë tjetër. Por çfarë po ndodh tani me Kinën, vendin prej nga buroi virusi dhe vendi i parë që mori masat e forta në përballje me këtë sëmundje? Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, për të dhënë më tepër detaje se si është gjendja mbi pandeminë, është shprehur gazetari shqiptar Edison Myrteza, i cili prej vitesh jeton në Kinë.

– A vazhdon pandemia, si është situata në Kinë?

Ndryshe nga vendet e tjera, Kina po përjeton prej disa muajsh thuajse “qetësi absolute”, përveç disa rasteve që shfaqen herë pas here në qytete ose provinca të ndryshme. Pandemia nuk mund të them se ka përfunduar 100 për qind, përderisa ka raste siç e thashë që shfaqen herë pas here. Rasti më i fundit është ai i 5 personave të infektuar në qytetin Chengdu, kryeqytetin e provincës Sichuan, nga ku të gjithë u izoluan dhe tashmë nuk ka më asnjë problem. Rreziku më i madh është përqendruar nga infektimet që vijnë nga jashtë vendit, pasi numri i infektimeve në vend shkon në zero prej muajsh. Duke qenë se shumë vende kanë një numër shumë të lartë të infektuarish, ekspertët e shëndetësisë së bashku me drejtuesit më të mirë të kontrollit kufitar, e kanë përqendruar punën e tyre te kontrolli dhe ndalimi i personave që vijnë të infektuar, qofshin këta shtetas kinezë ose të huaj.

– Përafërsisht sa mund të jetë numri i rasteve të prekura, sa raste shënohen në ditë?

Shifrat zyrtare që jepen nga qeveria çdo ditë, deklarojnë se nuk ka raste të prekurish, kryesisht brenda territorit kinez, duke përfshirë edhe ato të provincës së Tajvanit, Rajonet Speciale të Hong-Kongut dhe Macaos. Siç e deklarova, vetëm këto dy ditë janë regjistruar 5 persona të infektuar, 3 familjarë dhe 2 banorë të një fshati. Nuk ka asnjë rast ditor, të paktën zyrtarisht, përveç këtyre të fundit brenda vendit. Çdo ditë ka raste me të infektuar, por janë ata që vijnë nga jashtë vendit. Shifrat janë të ndryshme dhe variojnë nga një qytet në tjetrin. Zakonisht nuk i kalojnë më tepër se 10 ose 20 raste ditore gjithsej, kryesisht në Shanghai, ku janë edhe fluturimet direkte me jashtë, dhe më pas Guangzhou ose Rajoni Autonom i Mongolisë së Brendshme.

– Nga rastet të cilat janë të shënuara, ka pasur humbje jete?

Të paktën nga të dhënat zyrtare që publikohen, ka pasur vetëm 1 humbje jete gjatë 3 muajve të fundit, sepse personi i infektuar me COVID-19 ndodhej në stad të avancuar të infektimit. Kurse të tjerët janë futur në karantinë ose kanë marrë shërbimin e duhur mjekësor në spitalet e ngritura apostafat për pandeminë. Numri i viktimave është jashtë mase shumë i vogël, ose thuajse i papërfillshëm, dhe në shumicën e rasteve “mbase edhe nuk deklarohen” për të mos krijuar panik.

– Si po jeton populli kinez në këtë periudhë fundviti, a ka masa kufizuese?

Duke qenë se unë jetoj këtu çdo ditë, shoh se prej disa muajsh jeta ka nisur dhe vazhdon normalisht, ashtu siç ishte edhe para pandemisë. Të gjithë u janë rikthyer prej kohësh punës, arsimit, restoranteve, jetës së natës, ashtu sikur të mos kishte ndodhur asgjë më parë. Sigurisht që stina e dimrit është edhe momenti kur virusi është më agresiv dhe përhapet më shpejt, dhe të gjithë janë në dijeni të këtij momenti. Njerëzit janë të shkujdesur kudo. Madje edhe urdhri i qeverisë për mbajtjen e maskës me detyrim prej disa muajsh është hequr me ligj. Kujdesi më i madh kërkohet në mjetet e transportit. Në Pekin, askush nuk lejohet ta përdorë mjetin e transportit publik pa vendosur maskën në fytyrë. Ky rregull është i panegociueshëm. Edhe Wuhani, i cili u bë epiqendra e pandemisë, tashmë prej kohësh i është kthyer jetës normale dhe duket se e ka hedhur pas gjithë tmerrin që përjetoi për disa muaj. Sikur gjithçka është harruar dhe është kthyer në një nga qytetet më të sigurta në botë.

– Me përhapjen e virusit, kanë qenë të shumta edhe përpjekjet për krijimin e një vaksine kundër COVID-19; po në Kinë, a konfirmohet një prodhim përfundimtar?

Sigurisht! Kina së bashku me disa vende të zhvilluara teknologjikisht prej muajsh ka nisur punën për krijimin dhe prodhimin e vaksinës kundër COVID-19. Aktualisht, duhet të them se Kina ka prodhuar 4 vaksina, nga ku dy prej tyre janë përfunduar totalisht, ndërsa dy të tjerat janë ende në fazën përfundimtare të testimit. Ekspertët virologë kinezë deklarojnë se nuk mund të nxitojnë për të deklaruar “si për mburrje” se kanë gati vaksinën dhe direkt të hidhet në treg ose të vihet në dispozicion. Ata theksojnë se “vaksina duhet të jetë 100 për qind e sigurt dhe jo të eksperimentohet duke iu injektuar njerëzve me nxitim. Kjo do të sillte pasoja”. Dy prej vaksinave aktualisht janë në gjendje të ngrirë dhe do të vihen në dispozicion vetëm në rast të shpërthimit të një vale të dytë të epidemisë ose nëse do të shihet e arsyeshme të jetë gati në moment.

Ndërkohë, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë deklaruar se vaksina kineze kundër koronavirusit, e testuar në federatën e sheikëve, është 86% efektive. Edhe pse nuk u dhanë më tepër detaje, në lidhje me daljen në treg të kësaj vaksine të shumëpritur, lajmi është përhapur shpejt.

Vendi arab i cili e nisi fazën e testimit në shtator, nga gjiganti i vaksinave “Sinopharm”, nisi vaksinimin vullnetar të 31 mijë personave nga 125 vende. Vullnetarët nga mosha 18 deri në 60 vjeç kanë marrë respektivisht dy doza vaksine brenda 28 ditësh.

Ministria e Shëndetësisë e EBA-së, deklaroi rezultatin nëpërmjet një dokumenti zyrtar nga agjencia e lajmeve “WAM”, duke nënvizuar se kanë parë rezultatin nga kompania “Sinopharm” me të gjitha analizat e brendshme të imtësishme. Analizat treguan se deri tani nuk ka asnjë problem në sigurinë e shëndetit, thuhet në deklaratën shtetërore, por pa dhënë detaje nëse ka pasur efekte anësore apo jo te personat të cilët kanë pranuar vullnetarisht të vaksinohen.

Shtuar më 20/12/2020, ora 17:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori