Kili, 33 minatorët dalin nga nëntoka
Operacioni për nxjerrjen në sipërfaqe të 33 minatorëve kilianë të bllokuar në minierën e San Hozesë, që prej datës 5 gusht përfundoi me sukses.

Dalja në sipërfaqe e Luis Urzuas, minatorit të fundit që ishte “pasagjer” i kapsulës “Phoenix”, i dha fund agonisë të 33 minatorëve të bllokuar në mbi 600 metra thellësi.

I fundit që u nxor nga miniera ishte drejtuesi i turnit Luis Urzua, minatori që ndihmoi kolegët e tij të durojnë gjatë ditëve të para në minierë, kur askush nuk e dinte se ende ishin gjallë.

Gjashtë punonjës të ekipit të shpëtimit që ishin futur në minierë për të mbikqyrur operacionin shpalosën një pankartë ku shkruhej "Misioni u përfundua."

Operacioni i shpëtimit përfundoi pë rreth 22 orë e 40 minuta nga nisja e tij dhe gjatë gjithë kohës pati mbështetjen e presidentit vendas, që në një fjalim të mbajtur nga vendngjarja i cilësoi minatorët si “pasuria më e madhe e Kilit dhe jo bakri e ari”.

Ngjarja, veç familjarëve dhe të afërmve të minatorëve të bllokuar, mblodhi edhe mjaft reporterë e gazetarë nga e gjithë bota, të cilët e mbuluan hap pas hapi operacionin e shpëtimit.

Presidenti Sebastian Pinera i tha BBC-së se besonte që shpëtimi i minatorëve do ta ndryshojë imazhin e Kilit në botë.

Zoti Pinera tha se shpresonte që tani e tutje njerëzit ta lidhin emrin e Kilit me përpjekjen e një kombi të bashkuar për nxjerrjen e minatorëve dhe jo me periudhën e regjimit ushtarak.

Presidenti i Kilit, Sebastian Pinera tha se është i vendosur për të ndryshuar standardet e mbrojtjes së jetës së minatorëve.
Shtuar më 14/10/2010, ora 09:29

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori