Balla akuza opozitës: Firmat për komisioni hetimor janë të flasifikuara, keni shkelur me të dyja këmbët ligjin

Seanca në Kuvend ka nisur me akuza të forta. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla akuzoi grupin parlamentar të Partisë Demokratike se kishin shkelur ligjin. Balla iu drejtua Enkelejd Alibeajt dhe i tha se kanë marrë firmat e vendosura në kërkesën e vjetër dhe e kanë vendosur tek e reja, ajo që ngritjen e komisionit hetimor për Investitorët Strategjikë.

“Grupi parlamentar i PD ka më shumë nevojë për të mësuar rregulloren. Në Konferencën e Kryetarëve debati që është bërë për këtë çështje ishte i qartë. S’të bën nder të ndërhysh, se je sekretar i PD-së. Ta sqaroj unë. (I drejtohet Bardhit) Ka dy vlerësime, aspekti i përmbushjes së formës dhe karakterit formal të kërkesës. S’doja ta zhvilloja këtë debat me ju. S’ka ndodhur në Kuvend që të marrësh firma nga një kërkesë të rrezuar dhe me të njëjtat firma të sjellësh një kërkesë të re. Kjo është përpjekje për falsifikim.

Firma është një shprehje vullneti që shprehet një herë. Nuk mund ta marrësh firmën e një firmëtari dhe ta transferosh në dokumentin tjetër. Aty ishin shtuar dy firma të reja për një dokument të ri. Si mund t’ju besojnë juve qytetarët kur kërkoni zbatimin e ligjit dhe e nisni kërkesën tuaj me shkelje ligji. S’ka ndodhur kurrë Kur këtu ishte Pjetër Arbnori, Skëndër Gjinushi, Ilir Mreta, Gramoz Ruçi. S’ka ndodhur kurrë. Është detyrë e kryetarit të Kuvendit që të vendosë nëse kërkesa plotëson kushtet. Me vjen shumë keq që e zhvilloj këtë debat me ju, mendova se e përmbyllët këtë kërkesë në Konferencën e kryetarëve. Mblidhni firmëtarët dhe natyrshëm; hajde të bëjmë debatin. Debati zhvillohet kur kërkesa përmbush kriteret formale.

A i përmbush kërkesa kushtet? Jo se janë plotësuar firmat, se është ngritur Luli nga gjumi dhe ka ardhur. Jo, kërkesën bëjeni nga fillimi. Minimalisht ky quhet falsifikim! Në emër të shumicës dua të them vlerësim maksimal për atë që ndodhi dje në Ohër për rezultatet mbreslënëse për Ballkanin e Hapur. Ura mbi Bunë është një projekt historik dhe shumë i rëndësishëm. Të bashkosh Velipojën me Ulqinin është një arritje e madhe me shpresën që ky projekt të realizohet së shpejti. Në vitin 2023 do të ishte turpi juaj nëse në buxhetin e shtetit po votuat kundër këtij projekti historik është turp i madh”, tha Balla./albeu.com


Shtuar 9.06.2022 10:36