Këshilli i Sigurimit të OKB-së kritikon Rusinë
Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka zhvilluar gjatë ditës së djeshme një takim emergjent të kërkuar nga Rusia. Gjatë takimit Rusia u bë objekt kritikash të forta nga fuqitë botërore.

Ndërkohë po dje u zhvilluan edhe përleshje vdekjeprurëse mes separatistëve pro-rusë dhe përkrahësve pro-qeverisë në Ukranën lindore.

Ambasadorja amerikane në OKB Samantha Power dhe ambasadori britanik Mark Lyall Grant, akuzuan Rusinë për orkestrimin e dhunës.

Power theksoi se paqëndrueshmëria në Ukrainë ishte “plotësisht e nxitur nga elementë të caktuar”. Ambasadorja u shpreh gjithashtu se trazirat ishin të inskenuara nga Rusia.

Ndërsa Mark Lyall Grant i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të paralajmërojë Rusinë të mos e acarojë më tej situatën në Ukrainë.

Por Rusia i hodhi poshtë akuzat e ambasadores Power dhe ambasadorit Grant. Ambasadori rus Vitali Çurkin i bëri thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së që t’i kërkojë Kievit të ndalë përdorimin e forcës kundër popullatës së Ukrainës lindore.

Separatistët pro-rusë u përleshën me përkrahës pro-qeveritarë dje në Ukrainën lindore, ndërkohë që po afron afati që u është dhënë separatistëve për të dorëzuar armët.

Ministri i Brendshëm i Ukrainës Arsen Avakov, deklaroi dje se “një polic humbi jetën, ndërsa ka pasur shumë të plagosur nga të dy palët” e përfshira në konfliktin e armatosur. /albeu.com/
Shtuar më 14/04/2014, ora 10:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori