Kërkohet arrestimi i Bill Clinton
Me mijëra njerëz po bëjnë thirrje për arrestimin e Bill Clinton, pasi ish-Presidenti i SHBA-ve thuhet se, ka bërë fushatë për bashkëshorten e tij shumë afër vendvotimeve.

Në disa raste, qytetarët amerikanë thonë se, ai ka bërë fushatë edhe brenda vendvotimeve.

Një peticion, i nënshkruar nga 95,000 persona, është nisur nga përkrahësit e Bernie Sanders që thonë se, Bill Clinton ka bërë fushatë për Hillaryn në afërsi prej rreth 45 metrash nga vendvotimet.

"Kjo është një thirrje për arrestim të menjëhershëm për Presidentin Bill Clinton për shkelje me vetëdije të ligjeve të fushatës", thuhet mes të tjerash në peticionin në fjalë, raportojnë mediat amerikane.

Ndërkaq, në portalin e Sekretarit të Shtetit Massachusetts, William Galvin, shkruhet: "Në ditën e zgjedhjeve, disa aktivitetet ndalohen të kryhen brenda vendvotimeve dhe në distancë 45 metra larg vendvotimeve, përfshi edhe kërkesën e votave pro dhe kundër, apo ndonjë formë tjetër të promovimit apo kundërshtimit të ndonjë personi a partie politike".

Përkrahësit e Sandersit thonë se ish-Presidenti ka marrë pjesë në një tubim jashtë një vendvotimi në New Bedford dhe ka hyrë brenda vendvotimeve në dy komunitete tjera, shkruan "New York Post".

Hillary Clinton mposhti të martën Sandersin në Massachusetts, 50 me 49%. /albeu.com/

Shtuar më 06/03/2016, ora 10:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori