Kazakistani i vendos kryeqytetit emrin presidentit që u dorëhoq
Autoritetet në Kazakistan ia kanë ndërruar emrin kryeqytetit të këtij vendi, Astanas. Tash e tutje, ky kryeqytet do të quhet Nursultan për nder të ish-presidentit Nursultan Nazarbayev, i cili tha dorëheqje të befasishme të martën që shkoi.

Ky vendim u bë publik pas betimit të Kassym-Jomart Tokayev si president i ri i Kazakistanit, i cili ka premtuar se do ta dëgjojë mendimin e ish-presidentit për vendimet kryesore që do t’i marrë gjatë mandatit të vet.

Ish-presidenti Nazarbayev, tashmë 78-vjeçar, ka qënduar gati 30 vjet në pozitën e presidentit të Kazakistanit, i cili është mjaft i pasur me naftë.

Në anën tjetër, vajza e tij më e madhe është zgjedhur kryetare e dhomës së lartë të kuvendit. Përzgjedhja e saj në pozitën e dytë më të lartë në vend e bën atë pasardhëse të mundshme të presidentit aktual.

Babai i saj, i cili vazhdon të mbetet kryetar i partisë më të madhe në pushtet, do të vazhdojë të ketë ndikim në këshillin e sigurisë dhe do ta mbajë titullin zyrtar “Lider i Kombit”.
Shtuar më 20/03/2019, ora 16:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori