Prokuroria e Lezhës kërkon 9 vite burg për ish-zyrtarin në arrati, akuzohet për kultivim kanabisi

Prokuroria e Lezhës ka kërkuar dënimin me 9-vite burg të ish-kreut të Njësisë Administrative Ungrej Gëzim Kola, i vënë nën akuzë për kultivim të bimeve narkotike.

Konkluzionet janë dhënë nga prokurori Françesk Ganaj, ndërsa i pandehuri vijon të jetë në arrati. Sipas dosjes hetimore ish-zyrtari i pushtetit vendor ka konsumuar veprën penale “Kultivimi i bimëve, narkotike” kryer në bashkëpunim, ndërsa për dy personat e tjerë të ndjerin Kastriot Luka dhe shtetasin Gjergj Ndreca prokuroria ka kërkuar pushimin e akuzës, pasi Luka ka ndërruar jete, ndërsa për Ndrecen nuk është arritur të provohet përfshirja e tij në kultivimin e kanabisit.

Pjesë e kësaj dosje është edhe kryeplaku i fshatit Ungrej Zef Boci, por çështja ndaj tij është veçuar dhe po gjykohet në Gjykatën e Lezhës për veprën penale “Shpërdorim Detyre”. Kujtojmë se hetimi nisi pas zbulimit dhe asgjësimit të rreth 4 mijë bimëve kanabis sativa nga Forcat Speciale RENEA në qershor të vitit 2021 në zonën e Ungrejt në Lezhë.