Aleatët e vjetër të socialistëve duket se janë lënë në hije nga kryeministri Edi Rama.
Kështu ka pretenduar kreu i Paskal Milo, kreu i Partisë Demokracia Sociale, dhe ish-ministër i Jashtëm.
Raportet politike brenda së majtës thuajse janë inekzistente aktualisht, ndryshe nga raportet e partive të opozitës, teksa krerët e disa partive janë parë të takohen shpesh mes tyre. Paskal Milo i ftuar në Top Talk pohoi se raportet mes tij dhe Kryetarit të PS-së Edi Rama janë zero.
I pyetur se kur kishte patur një bisedë politike për herë të fundit me kreun e socialistëve, Milo u shpreh se nuk e mbante mend. Sipas tij 2013 ishte koha kur fliste me Ramën para se PS-ja të vinte në pushtet..Më pas gjithçka është shuar deri në heshtje pohoi ish-aleati i vogël i socialistëve.
Milo tha se Rama mendon se partitë aleate janë parazite, ndaj ka vendosur të mos i konsiderojë, por shtoi se kjo do ta dëmtojë të majtën në tërësi sipas tij pasi fragmentarizimi nuk i shërben askujt.
Milo u shpreh i gatshëm për bashkëpunim me çdo forcë politike apo koalicion që do të shfaqë interes në kuadër të sistemit aktual elektoral, që favorizon koalicionet në garën zgjedhore.