Kalifornia miraton ligj kunder martesave te homoseksualeve
Pëlqej
Albeu.com
Votuesit në Kaliforni miratuan një ligj të debatueshëm në zgjedhjet e fundit presidenciale që i jep fund martesave mes homoseksualëve në këtë shtet. Masa të ngjashme janë miratuar në Arizona dhe Florida.
Ka pasur protesta kundër ndalimit të martesave të homoseksualëve në qytetet kryesore amerikane dhe janë ngritur padi për ta rrëzuar atë. Edhe pse ky është tani ligj në Kaliforni, debati nuk ka përfunduar dhe është përhapur në mbarë vendin.

Në muajin maj Gjykata e Lartë e Kalifornisë lejoi martesat brenda të njëjtit seks, kur shfuqizoi një masë të mëparshme të quajtur ligji 22. I miratuar nga votuesit në vitin 2000, ligji 22, theksonte se vetëm martesat mes burrit dhe gruas janë të ligjshme në Kaliforni.

Gjykata e Lartë duke e kundërshtuar atë, tha se ky ligj binte në kundërshtim me klauzolat për të drejta të barabarta të sanksionuara në kushtetutën e Kalifornisë. Që nga ky vendim ka pasur më shumë se 18 mijë martesa mes homoseksualëve në Kaliforni duke filluar nga qershori. Kundërshtarët e këtij ligji u mobilizuan përsëri, duke grumbulluar mijëra firma për një masa tjetër të quajtur ligji 8, i përfshirë në fletët e votimit të nëntorit. Ky ligj synonte ta mbyllte këtë çështje përgjithmonë.

Ligji 8 do të amendojë kushtetutën e shtetit për ta përkufizuar martesën si një bashkim mes burrit dhe gruas. Ligji u miratua me 52 përqind të votave. (VOA)
Shtuar më 19/11/2008, ora 18:50
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori