Juncker: Zgjedhja e Trump president rrezikon të dëmtojë ekuilibrat ndërkontinentalë
Zgjedhja e Donald Trumpit president rrezikon të dëmtojë ekuilibrat ndërkontinentalë. Me të do të humbasim dy vite kohë, pasi ai duhet t’i bjerë rreth e qark një bote, të cilën nuk e njeh.

Ndërsa në përgjithësi, vizioni i tij për refugjatët dhe amerikanët me ngjyrë është shumë larg bindjeve tona”.

Kështu i është përgjigjur presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, pyetjes së një studenteje gjatë një debati me të rinjtë në Luksemburg.

Gjithsesi, ai shtoi se gjatë karrierës së tij të gjatë në politikë kishte punuar me 4 presidentë amerikanë, duke shtuar se kishte konstatuar faktin që, mes gjërave që thuhen në fushatë dhe atyre që bëhen ka gjithmonë një dallim.

Sipas kreut të Komisionit Evropian, zgjedhja e miliarderit vë në dyshim aleancën e NATO-s dhe kësisoj modelin mbi të cilin mbështetet mbrojtja e Evropës.

Idetë e Trumpit duket se nuk i pëlqejnë aspak Junckerit, që pohoi se ndaj refugjatëve dhe amerikanëve me ngjyrë, ai sillet në një mënyrë që nuk reflekton bindjet dhe ndjenjat evropiane.

Presidenti i KE-së mendon se amerikanët në përgjithësi nuk kanë asnjë lloj interesi për Evropën, gjë që vlen si për klasën politike, ashtu edhe për popullin, dhe kjo sipas tij ndodh sepse nuk e njohin kontinentin e vjetër, transmeton Syri.

Për të argumentuar bindjen e tij, Juncker kujtoi se dikur, Trump e kishte quajtur Belgjikën një fshat. Për këtë arsye, vijon ai,presidentit të ri të Amerikës duhet t’i mësojmë se ku konsiston Evropa dhe cilat janë parimet e funksionimit të saj.

Dhe jo vetëm kaq. Zyrtari i lartë i KE-së pretendon se manjati i pasurive të paluajtshme duhet të mësojë edhe se çfarë është bota, e ky nuk do të jetë një mision i lehtë. /albeu.com/
Shtuar më 11/11/2016, ora 20:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori