A duhet të japë dorëheqje Thaçi nga detyra e presidentit? Ja çfarë thonë analistët

Pas publikimit të aktakuzës të pakonfirmuar nga Gjykata Speciale, ku përmenden emrat e presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, është diskutuar shumë nëse presidenti duhet të japë dorëheqje nga pozita e tij.

Në një prononcim për Portali.info, analisti politik, Fitim Salihu, ka thënë se presidenti duhet të japë dorëheqje vetëm pasi që të konfirmohet aktakuza.

“Presidenti duhet të japë dorëheqje, por vetëm pasi që të konfirmohet aktakuza dhe ta pranojë zyrtarisht aktakuzën nga Dhomat e Specializuara”, ka thënë Salihu.

Tutje, i pyetur nëse kjo ‘aktakuzë’ e cila pretendon se Thaçi e Veseli kanë përgjegjësi për rreth 100 vrasje gjatë luftës, ka dëmtuar imazhin e presidentit dhe kryetarit të PDK-së, analisti Salihu ka thënë se me këto veprime po dëmtohet imazhi i UÇK-së.

“Problemi është që dëmtohet imazhi i UÇK-së, i luftës sonë për liri dhe i shtetit të Kosovës. Ky është synimi 20-vjeçar i Serbisë”, ka thënë ai.

Në fund, Salihu ka theksuar se beson që kjo gjykatë vetëm sa do ta ri-konfirmojë faktin që UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë.


Shtuar 26.06.2020 19:37