Ngrihet alarmi, super tajfuni Noru shkon drejt Filipineve: Evakuohuni nga shtëpitë!

Një stuhi e fuqishme ka goditur Folipinet.

Bëhet fjalë për super tajfunin Noru, i cili po shkon drejt Filipineve dhe pritet të zbresë në ishullin Luzon të dielën, duke bërë që autoritetet të evakuojnë banorët e qyteteve bregdetare.

Duke qenë se ky tajfun shoqërohet me erëra me shpejtësi 185 kilometra në orë, është më i forti i regjistruar në Filipine këtë vit dhe po forcohet shumë shpejt. Ai pritet të arrijë në arkipelag këtë mbrëmje në një distancë prej rreth 80 kilometrash në verilindje të kryeqytetit Manila, sipas shërbimit kombëtar të motit.

“Ne u kërkojmë banorëve të zonave të rrezikuara që të respektojnë thirrjet për evakuim kur është e nevojshme”, tha shefi i Policisë Kombëtare të Filipineve, gjenerali Rodolfo Azurin.

Filipinet përjetojnë tajfune të shpeshta, një fenomen që ka të ngjarë të përkeqësohet për shkak të ndryshimeve klimatike, sipas shkencëtarëve. 9 muaj më parë, një tjetër super tajfun kishte vrarë më shumë se 400 njerëz në vend. Shpejtësia e erërave që shoqëronin Norun u rrit në 90 kilometra në orë në vetëm 24 orë, me rritjen e përshkruar si “të paprecedentë”, vuri në dukje meteorologu Rob Gill.

Sipas shërbimit të motit, erërat e Noros mund të arrijnë shpejtësinë 205 kilometra në orë kur ai, ende në Paqësor, të zbresë në tokë sonte.

Shërbimi meteorologjik paralajmëroi për përmbytje, rrëshqitje dheu dhe stuhi të forta.

Në provincën Quezon, e cila është në rrugën që Noru ka të ngjarë të marrë, banorët e disa fshatrave janë evakuuar, tha Mel Avenila, një zyrtar i zyrës lokale të parandalimit të fatkeqësive.

Në provincën fqinje të Aurora, banorët e qytezës Dingalan tashmë janë evakuuar dhe janë në strehimore.

Tajfuni pritet të dobësohet ndërsa kalon Luzon qendrore përpara se të largohet në Detin e Kinës Jugore të hënën duke u nisur drejt Vietnamit.


Shtuar 25.09.2022 10:08