Jo vetëm në Shqipëri edhe në Britani mund të blihet një temë doktorature
Studentët britanikë janë duke kopjuar dhe duke bërë hile duke paguar kompanitë mijëra funte për t’ia shkruar atyre temën e doktoratës, thuhet në një hulumtim të gazetës MailOnline.

Kompanitë që ofrojnë ndihmë për ese, në fakt po u ofrojnë atyre që t’ia shkruajnë tërë temën, duke ia lënë vetëm një detyrë studentit: "Ti duhet ta shkruash emrin në fillim".

Tri kompani, "King’s Academic Help", "PhD Dissertation" and "British Dissertation Editors", kanë thënë që ata do të shisnin temën e doktoratës për një çmim që sillet prej £2.559 deri £6.173, i cili përcaktohet nga nota që e duan studentët.

Një shitës nga King’s Academic Help tha: "Ne jua shkruajmë tërë temën nga fillimi. Kur ta merrni atë, e gjitha që duhet të bëni është ta shkruani emrin në fillim dhe pastaj t’ia dërgoni mentorit".

Ai shtoi:"Nëse mentori yt kërkon disa ndryshime në të, ne do t’i bëjmë ato për ty derisa mentori të jetë i kënaqur".

"Punëtorët tanë do të punojnë në temën tënde sipas nivelit tënd të arsimimit dhe sipas standardeve të punës që ju kërkoni nga ne. Pra, është e pamundur që mentori juaj të gjejë që dikush tjetër e ka shkruar temën tënde".

Shitësi gjithashtu pretendoi se kompania "King’s Academic Help" ka 70-75 persona që punojnë në zyrat e tyre, por që adresa që është dhënë është një adresë virtuale.

Kompania gjithashtu shet ese për më shumë së 12.000 studentë britanikë në vit, tha shitësi, duke treguar se 50 klientët e doktoratës janë nga universitetet e Oxofordit ose Cambridget, gjë që universitetet në fjalë e mohuan.

Një këshilltare që punon në "British Dissertation Editors", tha që tema ka kushtuar nga 2800 deri 3982 funte, varësisht nga kërkesat e konsumatorit.

Duke e lavdëruar kompaninë e saj, këshilltarja në fjalë tha se ata janë kompania më e madhe në këtë industri me më shumë se 100 akademikë që punojnë për ta. Ajo nuk hezitoi që ta marrë përsipër edhe një temë doktorate që ka të bëjë me Hamletin e Shekspirit dhe Psikoanalizën postmoderne të Lancianit.

Stafi që punon për tema të doktoratës tha që kompania merr rreth 100 kërkesa në ditë, prej të cilave 15 deri 20 janë tema të masterit ose doktoratës.

"Në momentin që e merr temën, thjesht shikoje dhe dërgoja mentorit", tha këshilltari nga kompania "PhD Dissertation".

Ky skandal është bërë publik pasi që e njëjta ndodhi edhe në një kolegj në SHBA, ku prindërit e pasur, duke përfshirë Lori Loughlin dhe Felicity, u akuzuan për pagesë të personave të ndryshëm, në mënyrë që studentët e tyre të pranohen në universitet.

Dr. Thomas Lancaster, një ish-student në "Imperial College" në Londër, i cili u specializua në integritet akademik dhe zbulim të mashtrimeve, tha që kjo është vetëm maja e ajsbergut.
"Kjo industri në aspektin global vlen qindra miliona dollarë dhe dhjetëra miliona vetëm në Britani" tha Lancaster.

"Kenia është vendi ku ndodhin më së shumti këto fabrikime. Ka një papunësi të lartë dhe një punë nga shtëpia është e mirëpritur nga kenianët. Ata flasin një anglishte të pastër dhe kanë çmim të lirë. Ka mijëra njerëz në Kenia që e kanë si punë që ta shkruajnë një ese për studentët që mashtrojnë. Ka disa të tillë në çdo ndërtesë banimi" shtoi ai.

Lord Mike Storey, i cili ka bërë një fushatë të madhe për kundërshtimin e kësaj çështjeje, tha për MailOnline se: "Mashtrimi është një problem shumë i madh. Ne kemi njerëz që kanë mashtruar dhe sot punojnë në spitale, shërbime civile dhe kanë detyra mjaft të rëndësishme."

"Po e shkatërron integritetin akademik dhe universitet tona. Është një kancer. Po rritet e po rritet dhe po shpërndahet në tërë botën", shtoi Mike.

Një dukuri e tillë nuk është e rrallë edhe në vende tjera. Sipas raportit të gazetës "MailOnline", e njëjta gjë është vërejtur edhe në Zelandë të Re dhe në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Agjencia për Cilësi në Arsim të Lartë, tashmë ka filluar një fushatë për të ndaluar të gjitha reklamat për kompani të tilla.
Ekspertët thonë që kompanitë që ofrojnë ndihmë në ese duhet të shpallen kriminale, por qeveria ka thënë që për momentin ka parime dhe detyra tjera.

Një përfaqësues i Universitetit të Oxfordit tha: "Përdorimi i kompanive për të shkruar esetë është kundër rregullave dhe direktivave të Universitetit".

"Ne ofrojmë burime të ndryshme për të gjithë studentët që shkruajnë temat apo esetë e tyre, por kurrë nuk do ta tolerojmë kopjimin apo mashtrimin", tha përfaqësuesi i Universitetit të Oxfordit, shkruan "Mail Online". /albeu.com/
Shtuar më 30/03/2019, ora 16:17

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori