Jerusalemi? It's complicated...
Pëlqej
nga Agron Hoxha*

Në Jeruzalem xhamitë, kishat e sinagogat janë aq të ndërthurura me njëra-tjetrën saqë është e pamundur ti ndash e të vendosësh kufinj. Mjafton të theksoj që muri i lotëve i hebrejve (western Wall) është njëkohësisht muri i platformës mbi të cilën ngrihet xhamia e shejtë Aksa dhe ngjitur me ta është edhe kisha e varrit të shejtë.

Para disa vitesh mu dha rasti të bëj një shkollë verore në Jeruzalem, ku u njoha me shumë studiues, akademikë e prijës fetarë myslimanë, hebrej e të krishterë që jetonin në Palestinë e Izrael.

Kur diskutonim apo i pyesja për konfliktet atje, secili përpiqej të arsyetonte me shkaqet e pasojat. Por, kur i pyesja për mundësitë apo mënyrat e zgjidhjes së konfliktit, të gjithë përgjigjeshin shkurt "it's complicated".

Teksa po bisedoja me një mik palestinez banor në Jeruzalem mbi zhvillimet e fundit dhe impaktin atje, e mbylli me të njëjtën shprehje; “situata e komplikuar po komplikohet edhe më shumë.

Njohja e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit nga SHBA ka ngjallur jo pak debat ditët e fundit duke e komplikuar edhe më shumë situatën. Ajo që pritej me më shumë interes ishte se cili do të ishte reagimi i vendeve myslimane.

Ajo që u vu re që në krye të herës ishte një reagim i vakët, interes i dobët, plogështi e pranim i situatës "de fakto" të krijuar prej 50 vitesh në qytetin e shejtë për tre besimet. Që prej luftës 6 - ditore (5-10 Qeshor 67), për gjysëm shekulli izraletët kërkonin një legjitimim ndërkombëtar të pushtimit të tyre.

Palestinezët e shumëvuajtur, thikën pas shpine nuk e hëngrën nga Amerika e as nga perëndimi, por nga udhëheqës e despotë të vendeve të ashtuquajtura myslimane që kauzën palestineze e përdorin vetëm për të konsoliduar pushtetet e tyre dhe për të larguar vëmendjen nga skandalet e njëpasnjëshme dhe korrupsioni galopant që i ka pushtuar.

Përse zërat që dalin nga disa udhëheqës apo përfaqësues të vendeve myslimane nuk kanë asnjë ndikim!? Modestisht do të përpiqem të jap disa mendime shkurt:

1. Liderat “myslimanë” nuk janë të sinqertë.
2. Drejtuesit e këtyre vendeve shqetësohen se ndonjë valë protestash mund ti dëmtojë ata vetë prandaj përpiqen ti moderojnë.
2. Drejtuesve u intereson më shumë sa "like" ka marrë postmi i tyre se sa mesazhi për kauzën palestineze.
3. Njerëzit nuk besojnë më se Izraleli do të mposhtet duke thirrur "Poshtë Izraeli".
4. Turmat nuk besojnë se klithmat e tyre apo flamujt e djegur do të vlejnë për ndonjë gjë.
5. Turmat në protestat e organizuara në disa vende ishin numerikisht më pak se njerëzit që presin në radhë një produkt të ri nga Apple.
6. Turmat janë të lodhura sepse e dijnë që liderat e tyre janë "kolaboracionistë".
7. Ata që bërtasin më shumë janë ata që janë gati ta shesin të parët "kauzën".
8. Njerêzit e dijnë që kjo nuk është një luftë fetare por politike.
9. Kjo është gjenerata e tretë që po gënjehet me të njëjtat premtime.
10. Të gjithë bërtasin me zë përpara kamerave apo me tekst në rrjetet sociale, por asnjëri nuk e lag sexhaden me lotë hidhërimi kur është vetëm për vetëm me Zotin e tij.

Praktikisht, ndryshimi i kryeqytetit për Izraelin nuk ka ndonjë domethënie të madhe territoriale pasi Tel Avivi me Jeruzalemin janë në një distancë pak më të madhe se Durrësi me Tiranën dhe aeroportin e kanë diku në mes. Por, kjo zhvendosje do të zhdukte përfundimisht mundësinë e zgjidhjes dy-shtteërore të konfliktit bazuar edhe në rezolutat e OKB dhe situata për palestinezët bëhet akoma e më e komplikuar.

*
Edhe në vendin tonë kanë filluar të dalin zëra sporadikë që kërkojnë njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Natyrisht do të ketë edhe politikanë që do të nguten në këtë drejtim duke dëshiruar të shfaqen si më pro-amerikanë se kundërshtarët. Por, sikur të paktën ta indeksonin/kushtëzonin këtë me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli do të dukeshin edhe pak pro-shqiptarë.

*Drejtor i Medias dhe Marrëdhënieve me Publikun në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë
Shtuar më 11/12/2017, ora 00:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori