Jeremiq i "hakmerret" kolegut austriak per shkak te Kosoves
Albeu.com
Sipas burimeve diplomatike perëndimore, ministri i Jashtëm i Serbisë me sjelljet e tij kinse për të „mbrojtur Kosovën“ ka filluar të irritoj shumë homologë nga vendet e Bashkimit Evropian.
Së fundi ai ka irrituar ministrin e Jashtëm të Austrisë, Spindeleger, i cili kishte vizituar para dy ditësh Beogradin, ku kishte zhvilluar takim edhe me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiq. Ministri i Serbisë kishte vendosur ta anulojë konferencën e përbashkët për gazetarë me homologun e tij austriak për shkak se ky i fundit në Vjenë kishte takuar ditë më parë kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Përfaqësuesit austriakë kishin kërkuar nga pala serbe që „të zhvillohet konferenca për shtyp dhe aty Jeremiq ta përsërisë se mbesin dallimet në qëndrimet rreth Kosovës“, por pala serbe nuk kishte lëshuar pe.

Austriakët kanë porositur mikpritësit e tyre në Serbi se nuk u pëlqen një sjellje e tillë e Ministrisë së Jashtme dhe Serbia duhet ta ketë parasysh se nuk ka shumë miq në BE, të cilët e përkrahin avancimin e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe se Austria është ndër vendet jo të shumta që angazhohet të përshpejtohet procesi i zgjerimit me vendet e Ballkanit dhe sidomos integrimi i Serbisë në BE.

Pikërisht Austria së bashku me Greqinë u janë drejtuar me një letër vendeve tjera të BE-së, me të cilën propozojnë përforcimin e procesit të zgjerimit. Shumë vende të BE-së thonë se vazhdojnë t'ia bëjnë me dije Serbisë se nuk mund t’ua caktojë ajo se a mund të kenë apo jo ato vende kontakte me shtetet e tjera. Po ashtu thonë se kanë qenë „korrekte“ ndaj Serbisë duke „kuptuar pozicionin e saj ndaj Kosovës“, porse është Serbia ajo që po keqëson raportet e saj me disa shtete të Bashkimit Evropian e kjo thonë se nuk do të jetë e mirë për Serbinë.
Shtuar më 12/02/2010, ora 17:00
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori