Izraeli sulmon Gazen
Albeu.com
Izraeli ka kryer disa sulme të tjera ajrore mbi Rripin e Gazës në kundërpërgjigje ndaj sulmeve me raketa të militantëve palestinezë mbi territorin izraelit.Zyrtarët izraelite thanë se në sulmet e fundit ishin goditur gjashtë tunele që përdoren për trafikimin e armëve në Gazë si dhe një ndërtesë e Hamasit.
Përpara fillimit të këtyre sulmeve kryeministri izraelit, Ehud Olmert, tha se kundërpërgjigjia e Izraelit ndaj sulmeve me raketa do të ishte joproporcionale.
"Në rast të sulmeve kundër civilëve tanë në jug të Izraelit, ne do të reagojmë ashpër. Për nga natyra, reagimi ynë do të jetë joproporcional me sulmet që do të ndermerren ndaj civilëve dhe trupave tona", tha kryeministri Olmert.
Presidenti palestinez Mahmud Abbas do të takohet të hënën me presidentin Egjiptian Hosni Mubarak në Kajro, në kuadrin e përpjekjeve për të siguruar një armëpushim afatgjatë në Gazë.
Në Kajro pritet të mbërrijë edhe një delegacion i Hamasit për bisedime me zytrarët egjiptianë, të cilët po ndërmjetësojnë mes Hamasit dhe Izraelit.
Në prag të këtyre bisedimeve presidenti Abbas përjashtoi mundësinë e fillimit të bisedimeve me Hamasin, në qoftë se kjo lëvizje palestineze nuk e njeh Organizatën për Çlirimin e Palestinës si përfaqësuesen e vetme të popullit palestinez.
Presidenti Abbas e shprehu zemërimin në një spital në Kajro pasi takoi pacientët e plagosur gjatë konfliktit në Gazë.
Ai e akuzoi Hamasin për vënien në rrezik të jetës dhe aspiratave të palestinezëve për një shtet të pavarur palestinez.
Që kur Hamasi mori me forcë kontrollin e Gazës nga mesi i 2007-s, dy fraksionet kryesore palestineze, Fatahu dhe Hamasi, janë përçarë.
Përçarja është thelluar nga një propozim i bërë kohët e fundit nga udhëheqësia e Hamasit për ta zëvendësuar Organizatën për Çlirimin e Palestinës, të dominuar nga zoti Abbas dhe grupet besnike të tij.
Presidenti tha se dialogu mund të rifillojë vetëm kur të pranohet se OÇP-ja është përfaqësuesja e vetme legjitime e popullit palestinez.
Vërejtjet e zotit Abbas mund të kenë pasoja mbi përpjekjet e zyrtarëve egjiptianë.
Plani i tyre për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit është menduar të ndiqet më vonë gjatë muajit me bisedime për pajtim mes fraksioneve palestineze. /bbc/
Shtuar më 02/02/2009, ora 18:19
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori