Kush është Giorgia Meloni që pretendon të fitojë zgjedhjet në Itali, lidhja e saj me Musolinin

Politikania e njohur italiane, Giorgia Meloni, është favorite për të fituar zgjedhjet e përgjithshme parlamentare që mbahen ditën e sotme në Itali.

Partia “Vëllezërit e Italisë”, e udhëhequr nga Meloni i ka rrënjët tek neofashizmi. Meloni është një ish-aktiviste e cila në të kaluarën ka folur pozitivisht për diktatorin Benito Musolini.

Por, tani ajo thotë se ka ndryshuar.

“Sa herë që hapet fushata zgjedhore bie alarmi fashist. Është shumë qesharake të gërmohen videot që i mendoja kur isha 16 ose 17 vjeç”, thotë ajo. “Dëshira ime më e madhe është të ngrihemi lart, të ngremë përsëri vendin tonë nga rënia”, është shprehur ish-gazetarja italiane.

Ajo është përpjekur ta distancojë veten nga e djathta ekstreme duke u shprehur se partia e saj është përgjithësisht konservatore. Megjithatë kritikët janë shprehur se simpatizuesit e fashizmit janë ende në radhët e saj. Në të kaluarën, e djathta ekstreme italiane ka patur lidhje të ngushta me Moskën.

Megjithatë ajo ka shprehur vazhdimisht mbështetjen e saj për Ukrainën duke kritikuar presidenti rus Vladimir Putin, çfarë i ka dhënë pikë Bashkimin Evropian. Gjithashtu duket se Girorgia Meloni e ka braktisur euroskepticizmin. Megjithatë shumë nuk janë dakord me pikëpamjet e saj për LGBTI dhe emigracionin. Sakaq, të qenit grua dhe nënë, ka qenë në qendër të politikës së Giorgia Melonit.

Një herë ajo kandidoi për kryetare bashkie shtatë muajshe shtatzënë, sepse tha se burra të fuqishëm i kishin thënë se nuk mund ta bënte. Fjalimi i saj më i famshëm përfshin “Unë jam një grua. Unë jam një nënë.”

Ajo flet shpesh me krenari se si u ngjit në majat e politikës kombëtare pa ndonjë trajtim të veçantë. Por, sado të lumtura që aktivistet e të drejtave të grave janë për faktin që një grua më në fund mund të drejtojë Italinë, shumë do të donin që në thelb të ishte një grua tjetër. Ata janë të shqetësuara se axhenda e Melonit, fjalimet e saj për parandalimin e abortit dhe masat e tjera do të pengojnë kauzën e grave.

E pyetur për ligjin, zonja Meloni, e cila ka thënë se nëna e saj gati e abortoi, u zotua në një intervistë se ajo “nuk do ta ndryshonte atë” si kryeministre dhe se aborti do të jetë i ligjshëm.

Meloni është rritur vetëm nga nëna e saj, teksa babai i braktisi pasi ajo erdhi në jetë. Meloni ka tërhequr votuesit me mënyrën e saj të të folurit, me këmbë në tokë dhe të drejtpërdrejtë dhe me theks romak. Por sekreti i popullaritetit të saj ka të bëjë më pak me personalitetin e saj apo me propozimet e politikave se sa me atë që ajo ishte në thelb liderja e vetme e një partie të madhe për të qëndruar në opozitë gjatë qeverisë së unitetit kombëtar të Mario Draghit.

Ajo hyri në politikë në moshën 15 vjeçare dhe fitoi zgjedhjet e para parlamentare 21 vjeç. Në moshën 31 vjeç u bë ministrja më e re në moshë e Italisë, ministre e rinisë në qeverinë e Berlusconit në vitin 2008 dhe ka qenë në Parlament për gati dy dekada. Ajo ka premtuar ulje të taksave dhe dalje më herët në pension.