Pas humbjes së thellë në
zgjedhjet e 4 marsit e dorëheqjes së liderit të saj
Matteo Renzi,
Partia Demokratike Italiane ka mbledhur sot në Romë kryesinë e saj drejtuese.
Në këtë mbledhje u zyrtarizua dorëheqja e
Matteo Renzit, vendin e të cilit deri në zgjedhjen e liderit të ri do ta zërë zëvëndës/kryetari aktual i PD-së, Maurizio Martina.
Me anët të kryetarit të përkohshëm të saj
Partia Demokratike i është përgjigjur apelit të liderit të Forza Italias, Silvio Berlsuconi, për t’iu bashkuar koalicionit të së djathtës në krijimin e qeverisë së re.
“Humbja jonë në këto zgjedhje qe e thellë, është shprehur Maurizio Martina. Respektojmë forcat politike që i fituan
zgjedhjet, të cilëve u takon dhe krijimi i qeverisë së re.
Partia Demokratike do të jetë në opozitë. Respektojmë votën e të gjithë italianëve e do të jemi koherentë ndaj rezultatit të zgjedhjeve. Do t’u shërbejmë qytetarëve italianë në opozitë e në rolin e minorancës parlamentare.”
Maurizio Martina të cilit i është besuar dhe drejtimi i Partisë
Demokratike deri në zgjedhjen e lideri të ri të saj, i ka mbyllur kështu dyert si Lëvizjes 5 Yje ashtu dhe koalicionit të djathtë për një aleancë të mundshme qeverisëse.
“Humbja e PD, qe e qartë e pa ekuivoke, tha ai, nuk kërkojmë as koka turku as rrugë të shkurtra. Secili nga ne mban përgjegjësi për këtë humbje e nga e cila duhet të mësojmë shumë.”
Linja e ndjekur nga
Partia Demokratike pas mbledhjes së sotme të kryesisë së saj është po ajo e përcaktuar ditë më parë nga lideri i saj dorëheqës
Matteo Renzi, i cili ka deklaruar se “nuk do të pranoj kurrë që
Partia Demokratike të jetë paterica qeverisëse për forcat e tjera politike”.
“Dhashë dorëheqjen si kryetar por nuk heq dorë nga
Partia Demokratike, është shprehur sot me një komunikim mediatik ,
Matteo Renzi. Kemi humbur një betejë por jo dëshirën për të luftuar për një botë më të mirë!”
Linja renziane e Partisë
Demokratike propozon krijimin e qeverisë së re mes aleancës së 5 Yjeve me Lidhjen e
Matteo Salvinit.
Një qeveri e tillë do të spostonte Lëvizjen 5 Yje mjaft pranë së djathtës italiane, duke i dhënë kështu mundësi PD-së të rikuperojë votat e saj të humbura në
zgjedhjet e 4 marsit.
Sipas analizave politike, në
zgjedhjet e fundit mbi 16 % e zgjedhësve të Partisë
Demokratike të zhgënjyer nga qeverisja e saj, kanë votuar Lëvizjen 5Yje. /albeu.com/
Shtuar më 12/03/2018,
ora 20:56