Lufta solli rritje çmimesh, shefi i OKB-së kritikon firmat e naftës dhe gazit: Imoralë që përfitoni nga kriza

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres ka bërë thirrje që kompanitë e naftës dhe gazit të përballen me taksa të veçanta.

Komentet e tij vijnë pasi rritja e çmimeve të energjisë të shkaktuar nga lufta në Ukrainë i shtyn fitimet e industrisë në nivele të reja.

Guterres tha se ishte “imorale” që firmat të përfitonin nga kriza.

Pushtimi rus i Ukrainës në shkurt ka përkeqësuar mungesën globale të naftës dhe gazit, duke ndërprerë aksesin në naftë dhe gaz nga Rusia, një furnizues kryesor, dhe kjo ka sjellë dhe një rritje çmimesh.

Ndërsa familjet po përballen me fatura më të larta të energjisë, kompanitë po korrin përfitime.

Së bashku, katër nga firmat më të mëdha të energjisë, Exxon, Chevron, Shell dhe TotalEnergies, fituan rreth 51 miliardë dollarë në tremujorin e fundit, pothuajse dyfishi i asaj që fituan në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Kjo lakmi groteske po ndëshkon njerëzit më të varfër dhe më të cenueshëm, ndërsa shkatërron shtëpinë tonë të vetme të përbashkët. U bëj thirrje të gjitha qeverive të tatojnë këto fitime të tepërta dhe të përdorin fondet për të mbështetur njerëzit më të cenueshëm në këto kohë të vështira”, tha ai.

Guterres paralajmëroi se çmimet e larta të energjisë do të kishin pasoja të ndryshme, pasi familjet dhe qeveritë në mbarë botën shtrëngohen nën presionin.

“Shumë vende në zhvillim, të mbytur në borxhe, pa akses në financa dhe duke luftuar për t’u rikuperuar nga pandemia Covid-19 – mund të shkojnë në prag. Ne tashmë po shohim shenjat paralajmëruese të një vale trazirash ekonomike, sociale dhe politike që nuk do të linin asnjë vend të paprekur”, tha Guterras./albeu.com