Itali, dorëhiqet nga detyra pas 9 vitesh Presidenti Napolitano
Presidenti i Italisë Georgio Napolitano është dorëhequr nga detyra pas 9 vitesh në krye të shtetit. Pas largimit të tij, kompetencat e Presidentit Napolitano do t'i marrë kreu i Senatit italian, Pietro Grasso, i cili duke filluar që nga dita e sotme deri në zgjedhjet e ardhshme Presidenciale në Itali do të ushtrojë detyrën e Presidentit.

Përmes një komunikatë të shkurtër, presidenca e Republikës italiane njoftoi dorëheqjen e Presidentit Giorgio Napolitano, 89 vjeç.

"Napolitano nënshkroi sot në mëngjes aktin e dorëheqjes nga posti i tij. Sekretari i përgjithshëm i presidencës u ngarkua për t'ia komunikuar zyrtarisht dorëheqjen e presidentit Napolitano krerëve të Senatit, Dhomës së deputetëve dhe Këshillit të Ministrave", thuhej në komunikatë.

Presidenti italian, Giorgio Napolitano ka shfrytëzuar fjalimin tradicional të fundvitit për të paralajmëruar edhe dorëheqjen e tij.

Duke u shprehur se dorëheqja e tij nuk do të ndikojë në punën e Parlamentit, pasi është një zgjedhje personale, Napolitano tha se “Unë thjesht them se kam për detyrë të mos nënvlerësoj shenjat e lodhjes”. Ndërkaq, ai ftoi "Dhomat" dhe forcat politike të përgatiten për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Napolitano theksoi se mandati i dytë si president ishte vendimtar për t’i dhënë Italisë një qeveri dhe për të inkurajuar një ballafaqim më konstruktiv midis palëve kundërshtare. /albeu.com/
Shtuar më 14/01/2015, ora 10:55

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori