Ishte në burg me 5 yje, princi arab lirohet pasi paguan garanci
Princi Alwaleed bin Talal,jë prej njerëzve më të pasur në botë, u lirua dy muaj pas arrestimit, si pjesë e operacionit saudit antikorrupsion.

Ai u lirua pas arritjes së një marrëveshjeje financiare me prokurorin shtetëror. Princi Alwaleed u arrestua në nëntor nga organizmi i ri antikorrupsion, që drejtohet nga Princi saudit i Kurorës, Mohammed bin Salman.

Më shumë se 200 princa, politikanë dhe biznesmenë të pasur u arrestuan në nëntor, si pjesë e të njëjtit operacion. Megjithatë, ky i fundit humbi disi nga fuqia e tij, kur të arrestuarit u burgosën në hotelin me 5 yje “Ritz Carlton” në Rijad.

Hoteli do të hapet më 14 shkurt dhe kjo tregon se, edhe të burgosurit e tjerë pritet të lirohen shpejt. Pak ditë më parë, princi Alwaleed u shfaq në televizione nga qelia e tij e artë, duke treguar jetën e vuajtur pas hekurave.

Alwaleed, i 45-ti në botë nga pasuria, është figura më e famshme që lirohet në Arabinë Saudite. Ai tha se ndaj tij s’është bërë asnjë akuzë dhe shprehu mbështetjen për Princin e Kurorës, Mohammed bin Salman.

Nuk dihet sa ka paguar për lirinë Alwaleed, por nuk ka dyshim që ka zbrazur mjaft parà, ashtu si të tjerët që u liruan para tij. Për shembull, Princi Miteb bin Abdullah, i cili u lirua në fund të nëntorit, pagoi më shumë se një miliard dollarë. /albeu.com/
Shtuar më 27/01/2018, ora 22:08

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori