Ishulli amerikan që gati nisi luftën për një derr

Ishulli San Juan, i shtrirë në veriperëndim të Uashingtonit dhe pranë bregut kanadez, është i njohur për ekosistemin e larmishëm dhe mbi të gjitha për orkat e rralla që notojnë në ujërat përreth. Megjithatë, është e vështirë të besohet se në këtë cep të izoluar të SHBA-së, në vitin 1859, britanikët dhe amerikanët gati sa nuk hynë në luftë… për një derr të ngordhur.

Problemi filloi nga një mosmarrëveshje kufitare. Në vitin 1846, Traktati i Oregonit vendosi paralelen e 49-të si kufirin zyrtar midis territoreve britanike dhe amerikane në Paqësorin Veriperëndimor, por bëri një përjashtim për ishullin e Vankuverit, i cili u lejua të mbetej britanik. Mirëpo duke qenë se ujërat e Detit Salish përmbanin shumë ishuj të vegjël nisën problemet. Ishulli San Juan u gjend papritur në epiqendrën e një krize serioze diplomatike.

Megjithatë, jeta në ishull vazhdonte. Bujqësia mori hov në vitin 1853 kur kompania britanike “Hudson’s Bay” ngriti një fermë delesh, me synimin për të fituar terren në rajon dhe për të penguar pretendimet amerikane. Por brenda pesë viteve, shumë amerikanë nisën të kërkonin të drejtat për të kullotur bagëtitë e tyre – kërkesa këto që britanikët i konsideronin të paligjshme.

Tensionet vazhduan deri më 15 qershor 1859, kur një kolonel qëlloi një derr që e gjeti duke kërkuar ushqim në kopshtin e tij. Kafsha i përkiste britanikëve, të cilët ishin aq të indinjuar nga incidenti saqë kërcënuan të dëbonin amerikanë masivisht, të cilët kërkuan menjëherë mbrojtje ushtarake. Britanikët u përgjigjën duke dërguar tri anije luftarake në zonë dhe duke nisur stërvitjen ushtarake. Filloi kështu një situatë e tensionuar ushtarake dhe dy fuqitë e mëdha ishin shumë afër nisjes së një lufte.

Kur lajmet për “Luftën e derrave” arritën në Uashington në tetor të vitit 1859, presidenti amerikan, Buchanan, dërgoi disa emisarë të lartë për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes. Mbërritja e tyre ndihmoi për të zbutur tensionet dhe aksionet ushtarake u shmangën përfundimisht, duke u arritur armëpushimi.

Pas vitit 1859, amerikanët dhe britanikët bënë pazare për më shumë se një dekadë për të gjetur një zgjidhje të kënaqshme për mosmarrëveshjen e kufirit. Kaiser Wilhelm i Gjermanisë u caktua si ndërmjetësues dhe u ftua të zgjidhte midis dy kanaleve të ndryshme detare si kufirin e mundshëm: ngushticën e Haros të preferuar nga amerikanët, ose ngushticën e Rosarios të preferuar nga britanikët. Në fund, ai zgjodhi në favor të ngushticës Haro dhe në shtator 1872 marinsat britanikë u larguan, pasi ishulli San Juan iu dorëzua në mënyrë paqësore Shteteve të Bashkuara.