Ish-gjenerali i Armatës Jugosllave: Policia të marrë masat kundër planeve të Serbisë
Ish-gjenerali i Armatës Jugosllave, Ramadan Qehaja, vlerëson se planet e mirëpërgatitura të Serbisë janë në funksion të arritjes së qëllimeve që kanë të bëjnë me aneksimin e veriut të Kosovës me mjete dhe metoda të kombinuara konvencionale e jokonvencionale.

"Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë ditën e djeshme, janë dhënë detyra konkrete çdo subjekti dhe se toni i tyre kërcënues ngërthen në vete planet e mirëpërgatitura në funksion të arritjes së qëllimeve që kanë të bëjnë me aneksimin e veriut të Kosovës me mjete dhe metoda të kombinuara konvencionale e jokonvencionale", ka thënë në një interviste për gazetën "Zëri" ish-gjeneralmajori në Armatën Jugosllave, tanimë të shpërbërë, Ramadan Qehaja.

Ai ka shtuar se tashmë pritet të ketë edhe intensifikim detyrash dhe pranisë së agjentëve të shërbimit inteligjent civil e ushtarak serb, jo vetëm në atë pjesë të territorit, por në tërë territorin e Kosovës.

Eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Qehaja, i rekomandon institucioneve të Kosovës që të sigurojnë gatishmërinë vepruese të Policisë së Kosovësfunksion të dekonspirimit dhe reagimit ndaj pretendimeve të cekura më lart.

"Kjo punë duhet bërë në koordinim të ngushtë me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI)", shprehet ai.

Sipas tij, është më se urgjente që Policia e Kosovës të furnizohet me mjete të blinduara, armë të gjata krahu dhe pajisje tjera personale, ndërsa, njësitet speciale duhet urgjentisht të pajisen me helikopterë për bartjen e njësiteve në pika të caktuara dhe të zgjerohen numerikisht konform nevojave.

"Zhvillimi i këtyre njësiteve duhet bërë si një proces e jo veprime ad-hoc, duke menduar në intensifikimin e tyre që tani", ka thënë ish-gjenerali Qehaja. /albeu.com/

Shtuar më 16/01/2017, ora 09:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori