Iranit i kërkohet shfuqizimi i dënimit me vdekje për rastet e drogës
Ligjvënësit iranianë kanë propozuar ndryshime për ligjin e ashpër kundër drogës, të cilat parashohin shfuqizimin e dënimit me vdekje për disa vepra të lidhura me drogën. Në rast se miratohet nga Parlamenti, amendamenti i propozuar mund të zvogëlojë numrin e ekzekutimeve në Republikën Islamike, e cila njihet si një prej vendeve me shkallën më të lartë të shqiptimit e dënimit me vdekje.

Irani është përballur me rritje të presionit ndërkombëtar për të zvogëluar numrin e rasteve që u shqiptohet dënimi me vdekje. Grupet për të drejtat e njeriut kanë thënë se Irani ka ekzekutuar të paktën 567 persona gjatë vitit 2016 dhe afro 1,000 të tjerë në vitin 2015.

Në këto shifra përfshihen edhe shumë burra nga Afganistani, vend prej të cilit në mënyrë të paligjshme dërgohet pjesa më e madhe e drogës në Iran. Zyrtarët iranianë kanë thënë se 70 për qind e të gjitha ekzekutimeve në vend, janë shqiptuar për vepra të lidhura me drogën.

Edhe brenda Iranit ka pasur thirrje për shqiptim më të paktë të dënimit kapital, për rastet e lidhura me drogën. Kritikët kanë thënë se një dënim i tillë ka ndikuar shumë pak në uljen e rasteve të përdorimit dhe trafikimit të këtyre substancave.

Irani është një prej vendeve me ligjet më të ashpra në botë sa i përket drogës. Në këtë vend mund të kërkohet dënim me vdekje në rast të trafikimit apo posedimit të 30 gramëve heroinë apo kokainë.

Më 16 korrik, Parlamenti iranian pati miratuar një propozim për ndryshimin e ligjit për të ndaluar dënimin me vdekje për raste të vogla, jo të dhunshme, që janë të lidhura me drogën. Sidoqoftë, kryetari i Parlamentit, Ali Larijani, e ktheu draftin e projektligjit mbrapa në komitetin gjyqësor të Parlamentit për shqyrtim të mëtutjeshëm.

“Jam konsultuar me udhëheqësin e gjyqësorit sa i përket këtij projektligji”, është cituar të ketë thënë Larijani, sipas agjencisë së lajmeve ISNA.

“Ata kanë thënë se janë pajtuar me parimet e projektligjit, mirëpo janë disa detaje të cilat duhet të rregullohen”, ka shtuar tutje ai.

Pwr tu fuqizuar një ligj i tillë, ai fillimisht duhet të miratohet nga Parlamenti dhe të ratifikohet nga Këshilli i Gardës Kushtetuese, një trup klerik i cili duhet të miratojë në tërësi projektligjin e propozuar.
Shtuar më 25/07/2017, ora 16:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori