Irani zbulon rezerva të reja uraniumi
Irani deklaroi se ka zbuluar depozita të reja madhore uraniumi dhe se është duke planifikuar që të zgjerojë programin e tij bërthamor.

Në një dokument që përkeqëson krizën ndërkombëtar të shkaktuar nga ambiciet e Teheranit për energjinë bërthamore, 16 vende janë identifikuar si të përshtatshme për të ndërtuar reaktorë të rinj në 15 vitet e ardhshme.
Sipas Teheranit, rezervat e reja janë të mjaftueshme për të trefishuar uraniumin e përgjithshëm në dispozicion të Iranit.

Një konfirmim i tillë vjen dy ditë përpara një takimi përcaktues që do të mbahet në Kazakistan, midis Iranit dhe pesë vendeve me të drejtë veto në Këshillin e Sigurimit, plus Gjermaninë, për bisedime mbi programin bërthamor dhe sanksionet që i janë imponuar vendit.

Sipas Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj perëndimorë, Irani është duke zhvilluar një program bërthamor me qëllime ushtarake, por Teherani e ka mohuar gjithmonë këtë pretendim, duke thënë se reaktorët kanë si qëllim vetëm sigurimin e energjisë.

Aktualisht, Irani është "gjunjëzuar" nga sanksione të ashpra financiare, mes të cilave bllokadë për eksportet e naftës dhe bllokim të të gjithë aseteve dhe transaksioneve financiare të bizneseve e shtetit iranian.

Këto masa kanë sjellë një përkeqësim drastik të nivelit të jetesës në vend, ndikuar nga një inflacion galopant dhe reduktimi i subvencioneve shtetërore për transportin, strehimin dhe edukimin, duke bërë që presioni brenda Iranit mbi Ahmadinejad të rritet. /albeu.com/
Shtuar më 24/02/2013, ora 10:38

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori