Iraku, kjo tokë e dëshpëruar
Albeu.com
Lajmet e përditshme për vdekje të dhunshme vazhdojnë të jenë të pranishme në Irak, edhe pse kanë kaluar katër vjet nga ndërhyrja ushtarake në vend. Ajo që dikur ishte një shpresë për paqe, sipas një sondazhi të kohëve të fundit, tashmë është kthyer në dëshpërim. Katër vjet më parë, më 20 mars 2003, koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe filloi ndërhyrjen në Irak. U deshën vetëm tri javë dhe ushtarët amerikanë hynë në Bagdad, duke detyruar diktatorin të arratisej nga një kryeqytet, që nisi shkatërrimin e simboleve dhe kujtimit të tij. Katër vjet më vonë, qendra e qytetit është mbushur me godina të rrënuara dhe pavarësisht nga miliardat e shpenzuara në ndërtim, shërbimet minimale si furnizimi me ujë dhe energji elektrike, funksionojnë më keq sesa para luftës. Dhe popullata vazhdon të ketë nostalgji: "Përvjetori i luftës ka shumë domethënie. Shumë njerëz ishin të lumtur teksa shikonin rënien e Sadamit, por tani nuk është më kështu. Kjo, pasi shikojmë se vendi është përfshirë nga dhuna e terroristëve dhe grupeve kriminale. Në çdo rast, liria e ka një çmim", thotë një banor i Bagdadit. Kohët e fundit, gjërat duket se po ndryshojnë pak: të paktën këtë e pohon një deputet sunit, Saleh al-Mutleq: "Ka ndonjë përmirësim minimal në Bagdad, por jo në përpjesëtim të drejtë me forcat e nxjerra nëpër rrugë. Nuk e di sa do të zgjasë ky përmirësim, apo për sa kohë Bagdadi do të mund të rezistojë, pasi gjithë ky dislokim forcash po e shndërron atë në një burg". Me shpërthime thuajse të përditshme të autobombave, siguria mbetet një prioritet. "Ne nuk kemi pasur paqe dhe as stabilitet që nga fillimi i luftës. Irakianët kanë qenë të gjithë në shënjestër. Kush më shumë e kush më pak. Një prej tyre është madje edhe babai im, që është rrëmbyer dhe ne nuk dimë asgjë për fatin e tij", thotë një tjetër banor i Bagdadit. Ndërkohë, vetëm gjatë ditës së djeshme, të paktën pesë persona u vranë, pasi një makinë bombë shpërtheu në afërsi të stacionit të policisë së Bagdadit. Trupat irakiane dhe ato amerikane, prej javësh janë angazhuar në një operacion të madh sigurie, por shpresat janë të pakta. Komandantët e ushtrisë pohojnë se ia kanë dalë të përgjysmojnë numrin e vdekjeve mes civilëve. Ndërkaq, nga Uashingtoni, Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, shfaqet sërish i vendosur, por këtë radhë nuk ka shumë iluzione: "Do të duhen muaj për të arritur suksesin, jo ditë apo javë". Një sondazh i zhvilluar së fundmi, tregon se plot 63 për qind e amerikanëve, tani është kundër luftës. Para fillimit të luftës, tre në katër persona mbështesnin ndërhyrjen e armatosur. Gazeta Shqip
Shtuar më 21/03/2007, ora 10:36
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori