Irak, dhjetëra viktima nga sulmi kamikaz
Të paktën 30 persona mbetën të vrarë, pasi një kamikaz shpërtheu veten pranë një komisariati policie në qytetin verior iraken të Kirkukut, lajmëruan të dielën mediat ndërkombëtare.

Kamikazi u ndihmua në operacion nga një tjetër militant i armatosur rëndë, i cili hapi zjarr ndaj forcave policore, përpara se të neutralizohej në vendngjarje.

Sipas Agence France Presse, qëllimi i militantëve ishte të merrnin në dorë kontrollin e komisariatit, por pavarësisht numrit të lartë të viktimave, nuk ia dolën mbanë të realizonin misionin e tyre.

Asnjë grup nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë për këtë sulm, bilanci tragjik i të cilit mund të rëndohet në orët në vazhdim, për shkak të numrit të lartë të të plagosurve.
Kirkuku është një zonë etnikisht e përzierë dhe në qendër të një konflikti të ashpër të shtetit me kurdët, mbi naftën dhe të drejtat e pronësisë së tokës.

Ndonëse dhuna në Irak nuk është larg nivele maksimale të vitit 2006-07, tërheqja e trupave amerikane në dhjetor 2011 kontribuoi për rikthimin e luftës etnike dhe ndërfetare, me sulmet kamikaze dhe ndaj etnive të ndryshme që po marrin dhjetëra-qindra jetë njerëzish në muaj. /albeu.com/
Shtuar më 03/02/2013, ora 11:41

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori