I jepet lamtumira e fundit Senatorit Kenedi
Albeu.com
Familja Kenedi shpesh përshkruhet me termin “familja mbretërore e Amerikës” dhe ceremonia funebre e Eduard Kenedit tërhoqi një listë të gjatë figurash nga elita e Uashingtonit.Përveç presidentit Obama, të pranishëm ishin edhe ish-presidentët Xhimi Karter, Bill Klinton dhe Xhorxh Bush bashkë me bashkëshortet si dhe mbi 60 senatorë që shërbejnë aktualisht ose kanë shërbyer më parë në Kongresin amerikan.
Ceremonia u zhvillua nën zërin e tenorit Placido Domingo në interpretimin e pjesës Panis Angelicus, shoqëruar nga violinçelisti i njohur Yo-Yo Ma.
Presidenti Obama nënvizoi në fjalën e tij se Eduard Kenedi e filloi jetën si më i vogli i familjes Kenedi me 9 fëmijë dhe se familja kishte ambicje të mëdha për të, pas vrasjes së dy vëllezërve të tij, Xhon dhe Robert Kenedi. Presidenti Obama tha se Senatori Kenedi i tejkaloi ambicjet që kishte familja për të me atë që realizoi:
“Po i japim lamtumirën më të riut të fëmijëve të çiftit Rozë dhe Xhozef Kenedi. Bota do ta kujtojë për shumë kohë djalin e tyre Eduard si mbartësin e një trashëgimie të madhe; një luftëtar i zjarrtë për ata që s’kishin asgjë; shpirti i Partisë Demokrate dhe Luani i Senatit amerikan – një njeri që ka lënë vulën e tij në afro 1 mijë ligje dhe ka hartuar mbi 300 ligje vetë.”
Ted Kenedi, i njohur si një ndër kongresistët më efektivë në historinë e Senatit vdiq të martën nga kanceri në tru në moshën 77-vjeçare. Bindjet e tij liberale bëheshin shpesh shkak që ai të përplasej me ligjvënës konservatorë, por ai njihej gjithashtu për aftësinë e tij për kompromis në mënyrë që të arrihej miratimi i ligjeve. I lindur në një familje të pasur irlandezo-amerikane, Eduard Kenedi u dha me shpirt në ndihmë të të varfërve, të individëve me probleme fizike, të atyre që ishin të privuar, siç e theksoi edhe zoti Obama:
“Kontributi i Ted Kenedit nuk ishte në ndihmë të kauzave të atyre që ishin të pasur dhe të fuqishëm, por për të folur në emër të atyre që nuk i dëgjonte askush, për t’u ofruar atyre një shans që të ngjisnin shkallët e mundësive, për të bërë realitet ëndrrën e baballarëve të kombit."
Senatori Kenedi i kishte planifikuar vetë shumë aspekte të ceremonisë funebre të tij. Ai kishte zgjedhur për zhvillimin e ceremonive Bazilikatën e Zonjës së Ndihmës së Përhershme, një kishë në qendër të qytetit që njihet për ndihmën që u jep të varfërve. Rreth 1 mijë e 500 vetë morën pjesë në ceremoninë 2-orëshe nën kupolën madhështore të bazilikatës.
Fëmijët, nipat e mbesat dhe të afërmit e Ted Kenedit u lutën së bashku për disa nga kauzat më të dashura të Senatorit, përfshirë ofrimin e kujdesit shëndetësor për të gjithë amerikanët.
Ndoshta ndër momentet më emocionale të ceremonisë ishin fjalët që thanë dy djemtë e senatorit. Djali i madh, Ted Kenedi i Riu, tregoi një histori nga koha kur i kishin prerë këmbën kur ishte 12-vjeç, pasi ishte diagnostikuar me kancer. I ati e kishte ndihmuar të ngjiste një kodër të mbuluar nga dëbora e ngrirë duke e inkurajuar me fjalët “Asgjë nuk është e paarritshme për ty.”
Djali tjetër, ligjvënësi Patrik Kenedi që përfaqëson shtetin Rhode Island, kujtoi me mall se si që në moshë të vogël i ati e merrte me vete në garat me jaht në gadishullin Cape Cod.
Edhe Presidenti Obama përmendi në fjalën e tij dashurinë që kishte ushqyer Senatori për lundrimin, kur u shpreh se tani Ted Kenedi do të bashkohej me njerëzit e dashur që ka humbur prej kohësh:
“Më së fundi ai bashkohet me ta përsëri, duke na lënë të gjithë ne që vajtojmë vdekjen e tij me kujtimet që la pas, me të mirat që bëri, me ëndrrën që mbajti gjallë dhe me një pamje të pavdekshme para syve – atë të një njeriu në anije, duke buzëqeshur lirshëm gjatë lundrimit drejt erës, i përgatitur për çfarëdo stuhie që mund të fillojë, në udhën drejt një vendi edhe më të mrekullueshëm përtej horizontit.”
Ceremonitë funebre për Senatorin kurorëzuan disa ditë homazhesh, kur politikanë demokratë e republikanë nderuan kujtimin dhe veprën e tij. (botasot)
Shtuar më 30/08/2009, ora 19:12
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori