“Vuante mungesën e nënës”, flet i afërmi i të miturës që u vetëvar: Në 5 vite vetëm njëherë e takoi!

Një ngjarje e rëndë ndodhi dje në Pogradec, ku një 12-vjeçare dyshohet se i ka dhënë fund jetës, ndërsa është gjetur e vetëvarur në një kasolle afër banesës.

Lidhur me ngjarjen, ka reaguar një i afërm i vajzës ku për ‘News24’ ka treguar se vajza kishte vite larg nënës së saj pasi prindërit i kishte të divorcuar. Këtë verë pas 5 vitesh ishte takimi i tyre i parë gjë që mendohet të ketë rënduar psikologjisht vajzën e cila vuante mungesën e nënës së saj.

Ramazan Cela: “Në orën 2 më merr vëllai në telefon dhe më thotë kështu- kështu, ajo mbesa është varur. Çfarë thua i thashë bre, se nuk kishte ndonjë gjë të ankoheshe si ishim familje e mirë. Duheshin, i mbante mirë. Sot ndjemë lajmin e hidhur. E kishte gjetur e gjyshja bashkë me të ëmën (njerkën) që ka aty, ato e kishin kërkuar se kishin prerë një çik dushk për kecat. Ajo ishte varur atje ku i shtihet dushk kecave. Jetonte me babain me të ëmën (njerkën). Shkonte në klasë të 7 më duket, mësonte ishte shumë e mirë, pa probleme. Unë nuk e di çfarë mund ta ketë shtyrë, nuk jam në brendësi unë kur e mora vesh më erdhi shumë keq, thashë po si…se nuk dëgjonim gjë të grindeshin. Them ngaqë kishte nënën të larguar, e takoi vetëm 1 herë këtë behar, ka 4-5 vjet e larguar, këtë behar para dy muajsh e takoi, e kërkoi.

Nuk e di ka ikur, ju lut ky (babai i vajzës) për ta marrë po ajo (nëna e vajzës) nuk donte, jo nuk jetoj këtu, çupën vetëm këtë behar, vetëm një herë e ka takuar dhe kaq. Ndihem shumë keq. Nuk ka pasur asnjë shqetësim, shkonte për bukuri, nuk i ndihej zëri fare. Me vëllezërit dhe motrat e tjera shkonte mirë shumë ajo rriti dhe dy të tjerë. Nuk mendoj të jetë ndikuar nga ndonjë gjë tjetër, i shkonte mendja tek e ëma, edhe këta e donin e kanë rritur. Gjyshi dhe gjyshja e donin shumë, ata bënë çmos që e mbajtën ta rrisnin me shumë dashuri mirëpo ja që s’del, s’vete atje ku duhet”.

Kujtojmë se ngjarja ka ndodhur këtë mesditë në fshatin Buzaishtë  të njësisë administrative Velçan në Mokër. 12-vjeccarja u gjet nga gjyshja e cila lajmëroi më pas policinë.

Vajza jetonte me babain, njerkën, gjyshen dhe fëmijët e tjerë që babai i ka nga martesa e dytë.


Shtuar 23.08.2023 11:09