Holandë, qeveria e re do frenojë imigrimin
Qeveria e ardhshme e pakicës në Holandë, me orientim të djathtë, do të ashpërsojë kushtet e imigrimit dhe të ndalojë mbulimin e fytyrës nga gratë muslimane në vende publike.

Këtë e deklaroi politikani populist i djathtë Gert Wilders, Partia e Lirisë e të cilit ka qëndrim armiqësor ndaj fesë islame, si një nga kushtet që partia e tij ka vendosur për formimin e qeverisë së koalicionit tresh në Holandë.

Masat e vendosura do të përgjysmojnë imigrimin nga vendet joperëndimore, tha ai, duke paraqitur programin së bashku me kryetarin e kristiandemokratëve Maxime Verhagen dhe me Mark Rutte, kryetarin e liberalëve të djathtë.

Sipas programit qeveria kërkon të vështirësojë tërheqjen e pjesëtarëve të familjes si dhe ardhjen e imigrantëve të pakualifikuar në Holandë. Megjithatë marrëveshja e koalicionit qeveritar në Holandë gati 4 muaj pas zgjedhjeve, është ende në rrezik.

Disa anëtarë me ndikim të kristiandemokratëve e refuzojnë në mënyrë strikte ekstremistin e djathtë Gert Wilder. Vendimi përfundimtar do të merret nga baza e partisë në kongresin e jashtëzakonshëm ditën e shtunën.
Shtuar më 01/10/2010, ora 16:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori