Hijet e fundit e Gamorras në Itali (FOTO LAJM)

Në serialin e famshëm “Gomorra”, kullat e “Le Vele” kanë qenë sinonim i varfërisë dhe krimit të organizuar. Dhe realiteti nuk është shumë larg filmit.

“Kur mendoj për jetën te ‘Le vele’ më ngjethet mishi nga zemërimi”, thotë Omero Benefanti, banor i vjetër, tashmë i shpërngulur.

Shumë prej apartamenteve janë të braktisura. Dritaret janë të thyera, ndërsa tubat kullojnë ujë.

“Le Vele”, një kompleks pallatesh në periferi të Napolit, ishte sheshxhirimi i filmit të suksesshëm “Gomorra”, por edhe supermarketi më i madh ndërkombëtar i drogës në gjithë Europën perëndimore.

Në vitin 2004, këto pallate u bënë fushë-beteja midis grupit mafioz Di Lauro Kamorra, dhe një grupi të ri që po ndahej prej tyre. Lufta për kontrollin e tregtisë së drogës zgjati për një vit, dhe disa kohë shkaktonte rreth një vrasje në ditë.

Këtë javë, autoritetet italiane kanë marrë një vendim të madh: kompleksi do të shembet. E veçanta është se kërkesa për ta shembur ka ardhur nga vetë banorët.

Për banorët, shumica e të cilëve kanë lëvizur në komplekse të tjera shtetërore, të ndërtuara pranë, thonë se ky vendim është një fitore ndaj politikanëve si dhe ndaj stigmës që ka krijuar Gomorra.

Por ky vendim shënon edhe dështimin e ëndrrës italiane për banesa sociale. Kompleksi u ndërtua në fundvitet ’60 nga arkitekti napoletan, Franz di Salvo, për të zëvendësuar banesat e vjetra të ndërtuara pa rregull.

Shtatë blloqet, tri prej të cilave janë prishur tashmë, mbanin 210 deri në 240 familje. Synimi ishte që të kryenin rolin e lagjeve tradicionale, duke ruajtur lidhjen që kishin njerëzit nëpër rrugicat e ngushta të dikurshme.

Por rrugica e pallateve u bënë më të ngushta se ç’u planifikua, dhe hapësirat publike ishin pothuajse jo-ekzistente. Kjo bëri që shumë familje të izoloheshin brenda një xhungle betoni.

Disa nga blloqet nuk u mbaruan, por u zaptuan nga qindra banorë që mbetën pa strehë nga tërmeti i vitit 1980. Ata që u rritën aty patën një fëmijëri të rrezikshme, me krime, varfëri dhe varësi droge.

Një banore thotë se me kalimin e kohës, ata mësuan të bashkëjetonin me të droguarit dhe mafian: “Po të shihnim punën tonë, Kamorra na linte të qetë. Madje, ata u jepnin pako me ushqime familjeve më në nevojë.”

Banesat u braktisën nga shteti dhe dalëngadalë nga banorët. Pa pasur asnjë plan për t’i rimëkëmbur, zgjidhja më e mirë për këto pallate plot lagështi do të ishte që të shembeshin.

Por procesi i njohjes së 926 familjeve në mënyrë të ligjshme, dhe vazhdimi me prishjen, zgjati për 20 vite të ndjekura nga protestë pas proteste. Disa grupe arkitektësh, në fakt, kërkonin që ndërtesat të ruheshin si shembuj të ndërtimit modernist.

Në mungesë të shërbimeve nga shteti, Komiteti i Banorëve u bë shteti “de fakto”. Ata dokumentuan banorët, e madje ndërmjetësonin për punësimin e tyre. Por pastaj erdhi seriali “Gomorra”.

“E dinim që po i shisnim shpirtin djallit duke lejuar ‘Gomorrën’ të filmohej këtu”, thotë Lorenco Liparulo, një nga drejtuesit e Komitetit. Por ai e pranon që ishte një mundësi që s’mund ta linin t’u ikte. Kompania e prodhimit të serialit pagoi mirëmbajtjen e ndërtesave dhe shumë prej banorëve u paguan si aktorë dytësorë në seria. Ndërsa komiteti i përdori paratë për shkallë e riparime të tjera të domosdoshme.

926 familjet do të shpërngulen te banesat e reja që janë ndërtuar, e që janë projektuar në bashkëpunim me Komitetin e “Le Vele”, të cilët ndihmuan që të mos përsëriteshin të njëjtat gabime te zona e re. Një nga kullat e “Le Vele” do të ruhet për histori, si muze ose ndoshta do të bëhet zyra.
Shtuar më 17/05/2019, ora 20:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori