Hija e Mossadit
Albeu.com
Mossadi dyshohet se ka qenë i përfshirë në disa incidente të dhunshme, të cilat kanë ndodhur gjatë viteve të kaluara në rajonin e Lindjes së Mesme, siç ishte për shembull vrasja e një zyrtari të Hezbollahut në vitin 2008 në qendër të Damaskut. Por, reputacioni i Mossadit ka tashmë disa dekada që përflitet
Vrasja e një zyrtari të Hamasit në Dubai, nga ana e një ekipi për eliminim, i ngjason serisë së vrasjeve e cila filloi pas vrasjes së sportistëve izraelitë gjatë Lojërave Olimpike në Munih në vitin 1972 dhe përpjekjes për të helmuar një udhëheqës të Hamasit në Jordani para 13 viteve.

Agjencia izraelite për spiunim, Mossad, e cila dyshohet për vrasjen e Mahmoud Al Mabhouhit muajin e kaluar, ka përjetuar si triumfe ashtu edhe dështime gjatë dekadave të luftës së fshehtë dhe vrasja e Al Mabhouhit përmban si elemente të suksesit, ashtu edhe të dështimit.

Vrasësit, kushdo qofshin ata, e goditën shënjestrën e tyre dhe u arratisën. Por, ata u xhiruan dhe lanë prapa gjëra, të cilat duken si dëshmi të jashtëzakonshme: forca policore në Dubai, e cila u dëshmua më kompetente sesa që kanë menduar ndoshta agjentët, zbuloi se shtatë pjesëtarë të ekipit për eliminim kanë shfrytëzuar emra izraelitë, por me pasaporta evropiane.

Mossadi dyshohet se ka qenë i përfshirë në disa incidente të dhunshme, të cilat kanë ndodhur gjatë viteve të kaluara në rajonin e Lindjes së Mesme, siç ishte për shembull vrasja e një zyrtari të Hezbollahut në vitin 2008 në qendër të Damaskut. Por, reputacioni i Mossadit ka tashmë disa dekada që përflitet.

Në vitin 1972, një grup i palestinezëve të armatosur sulmoi rezidencën e sportistëve izraelitë në Munih, duke vrarë dy prej tyre dhe duke marrë nëntë të tjerë peng. Si rezultat i aksionit të dështuar të policisë gjermane, u vranë që të nëntë sportistët e rrëmbyer izraelitë.

Golda Meir, atëbotë kryeministre e Izraelit, urdhëroi Mossadin që të vriste përgjegjësit, pjesërisht si hakmarrje dhe pjesërisht si përpjekje për të frenuar aksionet e këtilla në të ardhmen. Urdhri i saj nxiti aksionin e Mossadit si pasojë e të cilit u vranë shumë zyrtarë palestinezë në Lindjen e Mesme dhe në Europë.

Basil Al Kubaisi u vra në vitin 1973 në Paris. Zyrtarë tjerë palestinezë u eliminuan në Romë, Mikozi, Athinë dhe në disa vende të tjera dhe këtu edhe lindi miti për Mossadin. Ky mit është gjallë edhe sot, edhe përkundër faktit se Mossad është përballur edhe me dështime.

Mossadi i kushton më tepër vëmendje operacioneve speciale, siç janë vrasjet, sesa çdo agjenci tjetër e inteligjencës në botë, thotë Ronen Bergman, autor i një libri për operacionet e fshehta të Izraelit kundër Iranit.

“Kjo para se gjithash ka të bëjë me frikën e Izraelit për ekzistencën e vet. Kjo nuk është politikë-është ndjenja se Mossadi është kufiri përfundimtar për mbrojtjen e sigurisë kombëtare të shtetit të Izraelit”, theksoi Bergman.

Kjo qasje agresive ka rezultuar edhe me disa gabime mjaft të mëdha. Në korrik të vitit 1973, në qytetin norvegjez Lillehammer, pjesëtarët e Mossadit vranë një person për të cilin kishin menduar se ishte Ali Salameh, një agjent palestinez. Por, viktima ishte një maroken i pafajshëm me emrin Ahmed Bouchiki. Gjashtë agjentë të Mossadit u arrestuan dhe u gjykuan në Norvegji pas kësaj vrasjeje.

Megjithatë, gjashtë vjet më vonë agjentët e Mossadit arritën të eliminojnë Salamehun dhe atë në qendër të Bejrutit.

Operacioni në Lillehammer zbuloi një aspekt interesant të operacioneve të Mossadit: dy nga agjentët e arrestuar ishin femra.

Në vitin 1997, Khaled Mashaal, udhëheqësi kryesor i Hamasit, ishte duke shëtitur në Amman, kryeqytetin e Jordanisë. Dy pjesëtarë të Mossadit, të cilët kishin shfrytëzuar pasaporta të Kanadasë, u përpoqën ta eliminojnë, por u ndalën nga truprojat e Mashaalit, të cilët filluan të ndjekin sulmuesit.

Sulmuesit më vonë u arrestuan nga policia jordaneze dhe nxitën një krizë diplomatike mes Izraelit dhe Jordanisë.

Kryeministri izraelit, që atëbotë urdhëroi sulmin, ishte Benjamin Netanyahu, i cili vjet u zgjodh sërish kryeministër i Izraelit dhe me gjasë ai ka dhënë dritën e gjelbër për aksionin në Dubai, nëse ky aksion është ndërmarrë me të vërtetë nga Izraeli.

Lufta e fshehtë ndoshta është e shëmtuar, por është domosdoshmëri, thotë Rafi Sutton, i cili në vitet e 70-ta ka shërbyer si agjent i Mossadit në Europë.
“Nëse ne, qytetarët e Izraelit, dëshirojmë vazhdimin e ekzistencës së këtij shteti, atëherë duhet të jemi të gatshëm të luftojmë për të ditën dhe natën, në dritë e gjithashtu edhe në errësirë”, tha Sutton.

Ai shtoi se Mossadi e meriton reputacionin që ka. “Emri i Mossadit ndërlidhet me vite të tëra të operacioneve të suksesshme. Dhe jo pa arsye. Kjo organizatë ka në radhët e veta disa prej njerëzve më të mirë në botë”, theksoi Sutton. (Associated Press)
Shtuar më 20/02/2010, ora 15:30
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori