Hamburgu si fushëbetejë
Qindra militantë të dhunshëm e kthyen lagjen e Hamburgut, Schanzenviertel, në një fushëbetejë. Plot dyqane u shkatërruan dhe u vu flaka barrikadave.

Pasi policia i la të lirë kundërshtarët militantë të G20-s për tre orë, ajo ndërhyri me forca të përqendruara. Me automjete të blinduara u larguan barrikadat dhe u përdor edhe gazi lotsjellës.

Në afërsi të Filharmonisë së Elbës u zhvilluan po ashtu protesta të dhunshme. Militantët godisnin policinë me mjete të ndryshme, ndërkohë që policia reagoi me ujëhedhëse.

Të premten në mbrëmje krerët e shteteve e qeverive pjesëmarrëse në samitin e G20-s ishin mbledhur në një koncert në Filarmoni.
Gjendja u qetësua gjatë natës, në vetëm pak raste policia u sulmua me shishe.

Por, militantët lanë pas një peizazh të shkatërruar. Nëpër rrugë ndjehej era e kauçukut të djegur, biçikleta të shkatërruara apo kosha plehrash të shpërndarë në rrugë.

Andreas Blechschmidt, zëdhënësi i qendrës kulturore “Rote Flora” – një nga pikëtakimet më të rëndësishme të skenës autonome – i dënoi trazirat. Ai tha se kjo formë e militantizmit, e dehur nga vetja, është e gabuar si politikisht ashtu edhe nga ana përmbajtjesore.

Sipas të dhënave të policisë në trazirat e së premtës u lënduan 197 policë. /DW/



Shtuar më 08/07/2017, ora 18:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori