Sirena alarmi zgjojnë ukrainasit, Rusia përshkallëzon sulmet, godet infrastrukturën në jug e lindje

Sirena për sulme ajrore janë dëgjuar në të gjithë Ukrainën këtë mëngjes, me zyrtarët që paralajmërojnë për sulme të mundshme raketore ruse, duke u kërkuar banorëve të strehohen.

“Ekziston një kërcënim i madh për sulme me raketa. Dua të theksoj përsëri, mos i injoroni sirenat e alarmit ajror, “tha Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të Kievit.

Gjithashtu këshilltari presidencial i Ukrainës, Anton Gerashchenko, u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në strehimore. shkruan The Guardian.

Në orët e para të mëngjesit sot , forcat ruse goditën infrastrukturë të rëndësishme në Kharkiv, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, dhe nisën sulme të shumta në infrastrukturën energjetike në Zaporizhja, teksa Moska i shtoi sulmet e saj në jug dhe lindje të Ukrainës.

Analistët ushtarakë thonë se presidenti rus Vladimir Putin shpreson se mbështetja e Evropës për Ukrainën do të pakësohet, pasi Rusia besohet se po përgatit një ofensivë të re.

Luftimet në Ukrainë u intensifikuan të enjten. Agjencia e inteligjencës ushtarake e Kievit tha se forcat ruse kanë nisur një ofensivë në rajonet pjesërisht të pushtuara të Donjetskut dhe Luhanskut, me synim kontrollin e plotë të të gjithë rajonit industrial, të njohur si Donbas.

Separatistët e mbështetur nga Moska kanë luftuar forcat ukrainase atje që nga viti 2014.

Të enjten, më 9 shkurt, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky qëndroi në Bruksel, prej ku kërkoi armë më të avancuara nga aleatët evropianë, duke i thënë Parlamentit Evropian se vendi i tij po lufton “kundër forcës më të madhe anti-evropiane të botës moderne”./albeu.com/


Shtuar 10.02.2023 09:23