Greqia mund të bankrotoj
Greqia
Greqia dhe Venezuela janë dy shtetet të cilat më së shumti rrezikojnë që të bankrotojnë në të ardhmen për shkak të borxheve të mëdha në të cilat janë zhytur, derisa vendet më të sigurta për investime janë Norvegjia, Finlanda, Suedia, Zvicra dhe SHBA, tregon një raport i publikuar nga CMA Group.

Sipas këtij raporti, vendi për të cilin ekziston mundësia që në pesë vjetët e ardhshëm të mos arrijë t’i lajë borxhet është Greqia me 58,8 për qind, pasuar nga Venezuela me 51,4 për qind.

Të dhënat e CMA, të cilat investuesve iu shërbejnë për të verifikuar rrezikun e investimeve në ndonjë shtet, tregojnë se në vendin e tretë për nga rrezikshmëria e bankrotit renditet Irlanda (41,2 për qind), pasuar nga Portugalia, Argjentina, Ukraina, Spanja, emirati Dubai, Hungaria dhe Iraku, të cilat përmbyllin listën e 10 vendeve më të rrezikuara për nga bankroti.

Kroacia renditet në vendin e 18-të me 16,8 për qind të mundësisë së bankrotit, ndërsa në zonën e rrezikshme janë edhe Italia, Islanda, Belgjika, Letonia, derisa më të sigurta janë Lituania, Bullgaria dhe Egjipti.

Në raport theksohet se në tremujorin e fundit të vitit të kaluar më pak rezultate pozitive janë arritur në Belgjikë, Spanjë, Gjermani, Holandë dhe Francë, derisa rezultate më të mira kanë shënuar Argjentina, Letonia, emirati Abu Dabi, Rumania dhe SHBA.

Po ashtu, raporti tregon se vendet më të sigurta për investime janë Norvegjia, ku besueshmëria për rrezik nga bankroti është vetëm 2,1 për qind, pasuar nga Finlanda, Suedia, Zvicra dhe SHBA, me shkallën e besimit të rrezikut nga bankroti prej 3 deri në 3,6 për qind.

Ndryshe, CMA prognozat i bazon në vlerën e ashtuquajtur “credit default swap” (CDS) për borxhin shtetëror. CDS-at janë instrument për sigurim nga bankroti dhe janë të pranishëm në çdo transaksion.
Shtuar më 08/01/2011, ora 09:32

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori