Partitë të pakënaqura, paralajmërojnë ankesa për procesin zgjedhor

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve rezultatet e para përfundimtare jozyrtare të zgjedhjeve të dhjeta parlamentare i publikoi pothuajse 24 orë pas mbylljes së vendvotimeve.

Pas këtij precedenti, partitë politike, në vend të përbërjes së mundshme të Qeverisë së re në konferencat e shtypit pas zgjedhjeve, më shumë folën për parregullsi dhe gabime, si dhe për ankesa të mundshme, përcjell Gazeta Express.

Sipas llogaritjeve të LSDM-së, diferenca në dobi të Koalicionit “Mundemi” është së paku tre mandate.

“Sipas të dhënave të qendrës kompjuterike zgjedhore të LSDM-së, diferenca në dobi të koalicionit “Mundemi” arrin të paktën tre mandate, dhe në të dhënat e paraqitura nga KSHZ-ja ka mangësi dhe gabime serioze që mund të japin një pasqyrë të pasaktë të rezultatit përfundimtar, kumtoi dje Lidhja Socialdemokratike.

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, njoftoi dje se komisioni ligjor i partisë është duke punuar për ankesat e mundshme, për të cilat ka një afat prej 72 orëve që të dorëzohen në Komision.

Sekretari i Përgjithshëm i partisë, Igor Janushev, njoftoi se me kërkesë të VMRO-DPMNE-së, KSHZ-ja i rinumëron rezultatet e procesverbaleve, me qëllim që të heqë të gjitha mundësitë për çdo parregullsi në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve.

“Për momentin, të gjitha opsionet janë të hapura, dhe pasi të mbarojë numërimi, do t’i njoftojmë hapat tanë të radhës”, njoftoi Janushev në Fejsbuk.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë dhe siç thotë ai, për lojërat që po bëhen me mosshpalljen e rezultateve të zgjedhjeve.

“Ka shumë informata nga terreni që nuk përputhen me rezultatet e nxjerra nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve deri në orët e para të mëngjesit të sotëm. Ka shumë rezultate të dyshimta në shumë vendvotime. Ka pasur tentime serioze, por edhe veprime që për qëllim kanë pasur tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve. Shtabi jonë i përbashkët ka denoncuar dhjetëra raste të tilla në organet përkatëse, por edhe në institucionet relevante ndërkombëtare”, shkruan Sela.

Gjithashtu, ai njoftoi se Shtabi i përbashkët i Koalicionit “Tash është Koha”, pas zyrtarizimit të rezultatit, do të përgatisë edhe ankesat e nevojshme, bashkë me fakte dhe prova konkrete për shkelje në procesit zgjedhor.

Kryetari i partisë E Majta, Dimitar Apasiev në konferencë shtypi tha se dyshojnë se partia pas zgjedhjeve të djeshme është dëmtuar për minimum rreth 10 mijë vota dhe se u janë vjedhur, siç tha, tre deputetë, në njësitë zgjedhore 1, 2 dhe 4.

“Ajo që është më shqetësuese është se janë të paktën 80 000 vota që nuk janë të përshtatshme. Sipas qendrës tonë analitike, nuk korrespondojnë procesverbalet elektronike me procesverbalet prej letre. Në këtë mënyrë, ne jemi vjedhur me nga 30-40 vota në mjedise urbane për vendvotim, ndërsa deputetët të cilët “varen” në këto tre njësi janë për 200 deri në 600. Kjo do të thotë se nëse nuk do të ishin këto parregullsi zgjedhore ne do të kemi edhe plus tre deputetë më shumë. Tani për tani i kemi dy deputetë të pastër. Po bëhet përpjekje maksimale LSD të na e marrë edhe deputetin e dytë në Njësinë e tretë zgjedhore i cili është i pastër si loti. Do ta japim maksimumin nga vetja të vijmë të paktën në tre deputetë”, tha Apasiev.

Ai tha se do të parashtrojnë ankesë në afatin ligjor prej 48 orësh ndërsa paralajmëroi edhe padi penale kundër anëtarëve të KSHZ-së pasi kjo është, tha “skandal i paparë në historinë e deritanishme të zgjedhjeve”.


Shtuar 17.07.2020 11:07