Greqi: Partia e Karamanlis fiton zgjedhjet e pergjithshme
Albeu.com
Për liderin e PASOK ishte një humbje tepër e hidhur sepse jo vetëm që humbi të drejtën për të qeverisur, por ra në një përqindje të ulët votash.Konservatorët e Kostas Karamanlisit fitojnë zgjedhjet në Greqi. Mijëra simpatizantë të partisë në pushtet “Demokracia e Re” vërshuan dje në rrugët e Athinës dhe të qyteteve të tjera Greqisë për të festuar triumfin e në zgjedhjet e djeshme parlamentare, menjëherë pas publikimit të “exit-poll”-eve nga kanalet televizive greke. Te gjitha paralajmëronin me përqindje pothuajse të njëjta fitoren e padiskutueshme të konservatorëve, një fitore madje që u jep atyre edhe të drejtën për të krijuar qeveri pa pasur nevojën e koalicionit me ndonjë parti tjetër. Me numërimin e votave, u konfimua qëndrimi në pushtet i kampit blu, ndërsa dëshpërimi ishte i dukshëm tek socialistët e Papandreut.

Për liderin e PASOK-, siç komentuan të gjitha mediat greke ishte një humbje tepër e hidhur, sepse jo vetëm që humbi të drejtën për të qeverisur, por ra në një përqindje edhe më të ulët votash se në në zgjedhjet e vitit 2004, kur kishte një muaj në krye të socialistëve. Goditja më e madhe për të, natyrisht, është hyrja e ekstremistëve të djathtë në parlament. Duket se tragjedia e zjarreve në Greqi dhe skandalet me të cilat përballet qeveria Karamanlis, e zbehën në një farë mënyre pushtetin e saj. E krahasuar me vitin 2004, kjo parti humbi një pjesë të votave, nga 2.5 deri në 3 për qind, që mesa duket është fituar nga ekstremistët e djathtë.

Analistët vlerësojnë se shkak i humbjes së socialistëve në Greqi ishte rrjedhja e madhe e votave drejt dy partivë të tjera të majta, Partisë Komuniste dhe Aleancës së Majtë, që ka rritur ndjeshëm numrin e simpatizantëve të saj së fundmi. Në vitin 2004, kjo parti fitoi vetëm 3,2 për qind të votave kurse tashmë ka arritur në nivelin 4.8 deri ne 6 për qind. Rrjedhja e votave në kampin konservator drejt ekstremistëve ishte më e vogël. Për sa i përket votës së të pavendosurve, që ishin rreth 11 për qind, ajo u nda në mënyrë pothuajse proporcionale midis dy partive të mëdha, por përqindja më e madhë përsëri shkoi tek partitë e vogla. Ato ishin çelësi i fitores së demokratëve dje.

Kjo është hera e parë që sistemi dypartiak në Greqi merr një goditje të tillë, që prej kohës së postdiktaturës në vitin 1974 dhe në skenën politike do të ngjiten për të luajtur rol të rëndësishëm edhe partitë e vogla. Sidoqoftë, demokratët janë sërish të zgjedhurit e popullit grek për të qeverisur vendin. Qeverisë Karamanlis i duhet tashmë të përballet me probleme të mprehta të politikës së jashtme, si çështja e emrit të Maqedonisë, për të cilën Athina kërcënoi me vendosjen e vetos ndaj hyrjes së vendit fqinj në NATO, apo me çështjen e statusit të Kosovës.

Testi më i madh i qeverisë do të jetë ai i sistemit të pensioneve dhe të ndihmës për zonat që u dëmtuan nga zjarri. Ndërkohë, në kampin socialist ende nuk dihet nëse humbja e zgjedhjeve do të sjellë ndryshime në udhëheqjen e saj, pak pasi disa prej anëtarëve kryesorë të kësaj partie vunë në dyshim cilësitë udhëheqëse të kreut të PASOK-ut, Papandreu.
Shtuar më 17/09/2007, ora 14:50
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori