Gjermania rikthehet fuqishëm, nis eksportin e armëve
Qeveria gjermane i ka dhënë me sa duket dritën jeshile një eksporti të madh armatimesh në Lindjen e Mesme. Sipas informacioneve të revistës gjermane "Spiegel", Këshilli Federal gjerman, i mbledhur në fshehtësi ka dhënë lejen për eksportin e një fregate në Egjipt. Shitja duhet të jetë aprovuar pak para ndryshimit të vitit.

Bëhet fjalë për një fregatë të tipit Meko 200, të ndërtuar nga firma Thyssen Krupp Maritime Systems. Vitin e ardhshëm, marina egjiptiane do të marrë edhe një fregatë tjetër të të njëjtit tip. Sipas të dhënave të specialistëve, një anije e tillë kushton 500 milionë euro.

Me lejen e re qeveria gjermane vazhdon t'i qëndrojë besnike linjës së saj, që lejon furnizimin me armë të vendeve me qeveri autoritare, nëse ato shihen si partnerë rajonalë, shkruan "Spiegel". Në Egjipt në pushtet ndodhet ish-shefi i ushtrisë, Abdel Fattah al-Sisi i cili qeveris me dorë të fortë dhe godet ashpër opozitarët dhe ata që e kritikojnë.

Pakti i koalicionit i ndalon eksportet e armëve

Me këtë vendim qeveria gjermane ka shkelur paktin e koalicionit. Në të thuhet se Unioni kristiandemokrat, kristiansocial dhe Partia Socialdemokrate janë të detyruara të mos furnizojnë me armë shtetet që marrin pjesë në konfliktin e Jemenit. "Ne nuk do të lejojmë më furnizimin e vendeve, për sa kohë ato marrin direkt pjesë në luftën e Jemenit", thuhet në tekstin e koalicionit. Egjipti është zyrtarisht pjesë e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, që lufton kundër rebelëve huthi në Jemen.

Që prej vitit 2014, në Jemen sundon lufta që zhvillohet midis rebelëve huthi, që ndihmohen prej Iranit dhe trupat e presidentit Abd Rabbo Mansur Hadi, që përkrahet nga Arabia Saudie dhe shtetet e tjera arabe. Sipas të dhënave të OKB, deri tani janë vrarë 10 mijë vetë, mes të cilëve mijëra civilë.

E majta dhe Të gjelbërit kritikojnë qeverinë

Leja e sapodhënë për eksportin e armatimeve ka ndezur kritika. Politikania e Të majtës, Sevim Dagdelen tha: "Kush dërgon anije luftarake në shtete si Egjipti, që pranojnë shumë lehtë gjenocidin e Jemenit, nuk duhet të flasë në të ardhmen për përgjegjësi ndërkombëtare." Qeveria gjermane e bën veten "bashkëfajtore për krimet kundër popullsisë civile në Jemen". Politikani i Të gjelbërve, Jürgen Trittin tha: "Edhe këtë vit qeveria gjermane vazhdon me eksportet e armatimeve, sikur të mos ketë luftë në Jemen dhe Libi"./DW
Shtuar më 03/01/2019, ora 11:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori