Gjermania reformon ushtrinë
Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen njoftoi sot rreth një plani për të reformuar rrënjësisht ushtrinë si pjesë e hetimit për simpatizuesit e ekstremit të djathtë që ka implikuar zyrtarë të shumtë të Bundeswehrit dhe hedhur dyshime rreth drejtimit të tij.

Duke folur përpara komitetit parlamentar të mbrojtjes në Bundestag, von der Leyen tha se ”plani do të zbatohet sipas një procesi të gjerë i cili përfshin reformën e strukturave drejtuese, nga punonjësi më i thjeshtë tek ministri”.

Ajo tha se “përpjekja për të zhvilluar reformën do të përfshijë rishikimin e funksioneve drejtuese, masave disiplinore, edukimin politik të ushtarëve dhe të ashtuquajturën “Traditionserlass”, rregullat për traditën ushtarake në Republikën Federale të Gjermanisë.

Von der Leyen, një anëtare e konservatorëve kristiandemokratë të kancelares Angela Merkel, është kritikuar nga i gjithë spektri politik se ka dështuar në zbulimin dhe çrrënjosjen e ekstremizmit të krahut të djathtë në radhët e ushtrisë, përcjell Atsh.

Bundeswehr (forcat e armatosura të unifikuara të Gjermanisë, administratat e tyre civile dhe autoritetet e prokurimit) aktualisht po kryen kërkimet e kazermave të ushtrisë në të gjithë vendin në zbulim të relikeve të epokës naziste si pjesë e hetimit të ekstremistëve të djathtë.
Shtuar më 10/05/2017, ora 19:53

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori