Gjermania, nevojë urgjente për emigrantë të kualifikuar
Albeu.com
Gjermania humbet 20 miliardë euro në vit, si shkak i mangësisë së fuqisë punëtore dhe specialistëve. Pritet fjala e fundit e qeverisë, pas kërkesës së shoqatave të punëdhënësve.Mangësitë e fuqisë punëtore të kualifikuar po i shkaktojnë ekonomisë gjermane humbje prej disa miliardë eurosh në vit. Specialisti për emigracionin në Ministrinë e Punës, Durim Hatibi, duke iu referuar kanaleve zyrtare, bën të ditur se kjo çështje është edhe tema kryesore e faktuar në një raport të kërkuar nga ministri gjerman i Ekonomisë, Mihael Glos.

"Humbja e vlerës së shtuar, që vjen nga mosplotësimi i vendeve të punës, luhatet në rrafshin e miliarda eurove me dy shifra. Ajo mund të ngjitet edhe në 1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto" theksohet në raport. Po sipas këtij dokumenti vlerësues të situatës, ky 1 për qind mund të jetë më shumë se 20 miliardë euro vetëm për vitin 2007.

Specialisti Hatibi sqaron se Gjermania po përballet me mangësi të fuqisë punëtore në sektorët e prodhimit, atë të inxhinierisë metalike dhe asaj elektrike. Megjithatë, ky vend njihet se historikisht i ka rezistuar emigrimit në shkallë të gjerë, gjë e cila mund të ndihmonte në zbutjen e mangësisë së vendeve të punës të paplotësuara dhe kërkesës imediate për punonjës të kualifikuar nga vende të tjera. Vetë ministri i Ekonomisë, Glos, ka deklaruar se mosarritja e Gjermanisë, për sa i takon formimit profesional të popullsisë vendase me aftësitë që kërkohen nga industria e eksportit me rritjen më të shpejtë atje, mund t‘i shkaktojë dëme ekonomisë më të madhe të Bashkimit Evropian.

Por, ndërsa ky vend, si për ironi, po përballet me një nivel të lartë papunësie, rreth 9 për qind, shpresa u rrit pasi kjo shifër pësoi ulje për muajin korrik. Kompanitë e ndryshme rritën prodhimin dhe nivelin e punësimit. Lidhur me çështjen e lehtësimit të kritereve të pranimit të emigrantëve nga vende të tjera anëtare ose të BE-së, politikanët, nga ana e tyre, kanë qenë të kujdesshëm, kur i janë qasur zgjidhjes së problemit. Ndrojtja e tyre për të dhënë një "Ok" për lehtësimin e këtyre procedurave është justifikuar nga rreziku i humbjes së votave, për sa kohë që emigrimi mbetet një temë jo shumë popullore për gjermanët.

Aktualisht, kompanitë po nxiten që të punësojnë femra dhe punëtorë të moshuar, si dhe të huaj, që tashmë jetojnë në Gjermani. Sipas legjislacionit gjerman, punëtorët nga shtetet jo anëtare të BE-së duhet të realizojnë të paktën 85 mijë euro në vit, si pagë minimale, nëse dëshirojnë të vijnë të punojnë aty. Por kjo shumë konsiderohet tepër e lartë për këtë kategori. Gjithashtu, ky vend ka edhe kufizimet më të rrepta për punëtorët nga shtetet e reja anëtare të BE-së, që u bashkuan në periudhën 2004-‘07. Përfaqësuesit e biznesit gjerman nga ana e tyre kanë shprehur pakënaqësi lidhur me përgjigjen e qeverisë ndaj problemit të mangësisë së fuqisë punëtore. Ata kanë kërkuar prej qeveritarëve që të ndërmarrin një qëndrim më të hapur, në raport me emigrimin. Por, drejtuesit e qeverisë mendojnë se këto biznese kërkojnë që të sjellin fuqi punëtore të huaj, vetëm për shkak të kostos më të lirë të punës së tyre.

Në fillimin e muajit gusht, shifrat zyrtare të papunësisë në Gjermani pësuan një ulje, duke e fiksuar numrin e të papunëve në 3.7 milionë për muajin qershor. Sidoqoftë, biznesi gjerman ankohej se nuk mund të gjenin fuqi punëtore të nevojshme.

Ministri gjerman i Punës, kohët e fundit sugjeroi se heqja e kufizimeve për punësimin e punëtorëve nga shtetet e reja anëtare të BE-së mund të ishte zgjidhja e mundshme, megjithëse opozita i është kundërvënë me forcë këtij qëndrimi. Këta të fundit mendojnë se mangësitë në tregun e punës, fillimisht duhen plotësuar nga gjermanët, përpara së të hidhet vështrimi jashtë Gjermanisë. Ky qëndrim ka gjetur mbështetje edhe nga sindikatat gjermane.

Ndërkohë që, lëvizja e lirë e fuqisë punëtore është një e drejtë themelore e BE-së, duke i mundësuar një punëtori nga një shtet anëtar të punojë në një tjetër shtet anëtar me shumë pak kërkesa. Por kjo nuk vërtetohet në praktikë për punëtorë nga shtetet e reja anëtarë të BE-së dhe as për ata që ende nuk janë bërë pjesë e familjes evropiane. Si pjesë e traktatit të anëtarësimit, është mundësuar zbatimi i disa masave kalimtare, me synim mbrojtjen e tregjeve të punës të shteteve më të vjetra anëtare të BE-së. Gjermania është një prej atyre vendeve që e shfrytëzoi këtë klauzolë, ndryshe nga disa shtete anëtare të BE-së, si Mbretëria e Bashkuar dhe Republika e Irlandës. Që të dyja këto vende, në fillim i hapën tregjet e tyre të punës për tetë vendet ish-komuniste, që iu bashkuan BE-së në 2004-ën, por vendosën disa kufizime për Rumaninë dhe Bullgarinë, pasi u ndeshën me një emigrim më të lartë nga ai i pritshmi prej Evropës Lindore.

Kufizimet aktuale janë në fuqi deri në 2009-ën. Në fillim të këtij viti do të merret një vendim, nëse kufizimet do të shtyhen, ose jo deri në 2011-ën, pasi rregullat e BE-së nuk e lejojnë këtë shtyrje pas vitit 2011. Gazeta Shqip
Shtuar më 14/10/2007, ora 19:57
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori